Mediat sllovene: Amerikanët po kërkojnë nga Sllovenia të mos vendosë sanksione ndaj Dodikut

Në vendimmarrjen se a duhet Sllovenia të ndalojë hyrjen e ish-presidentit të Republikës Srpska, Milorad Dodik, për shkak të një dënimi të formës së prerë në Bosnje e Hercegovinë, janë përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shkruan portali slloven Necenzurirano.si.

Burime të shumta nga qarqet diplomatike ndërkombëtare kanë konfirmuar ditët e fundit se edhe nga Uashingtoni po tentohet të ndikohet tek Sllovenia për këtë çështje. SHBA dëshiron që Ljubljana përkohësisht të shtyjë vendosjen e sanksioneve kundër Dodikut. Këtë, amerikanët ia kanë përcjellë Sllovenisë përmes kanaleve të ndryshme joformale diplomatike, sipas burimeve jozyrtare.

Nuk ka informacione zyrtare mbi këtë. Në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Sllovenisë nuk kanë dhënë përgjigje konkrete nëse janë në kontakt me diplomaci të tjera lidhur me ndalimin e hyrjes për Dodikun.

 Debati në qeveri

Javën e kaluar qeveria diskutoi propozimin për t’ia ndaluar hyrjen Dodikut, i cili në Bosnje e Hercegovinë është dënuar me një vit burg për mosrespektim të vendimeve të përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar. Diskutimi nuk është përfunduar, meqë Ministria e Jashtme duhej të plotësonte më tej materialin. Vendimi është shtyrë për njërën nga seancat e ardhshme.

Dodik u akuzua pasi në korrik 2023 nënshkroi dy ligje me të cilat në Republikën Srpska përcaktoi që vendimet e Christian Schmidtit dhe Gjykatës Kushtetuese të BiH të mos zbatohen. Në shkurt 2024 u dënua me një vit burg dhe gjashtë vite ndalim veprimtarie politike.

Katër shtete – Gjermania, Austria, Polonia dhe Lituania – ia kanë ndaluar tashmë hyrjen, ndërsa dy të parat i kanë vendosur edhe sanksione pasurore. Në fillim të gushtit dënimi u bë i formës së prerë dhe Dodik vetë e pranoi, duke paguar një gjobë prej 18 mijë eurosh. Megjithatë, ai ka shpallur referendum më 25 tetor në RS për të pyetur qytetarët nëse e mbështesin vendimin për t’ia hequr mandatin.

Dyshime për kapital të dyshimtë në Slloveni

Sipas informacioneve jozyrtare, iniciativën për sanksione e kanë propozuar shërbimet e sigurisë sllovene, të cilat viteve të fundit kanë evidentuar transferime të mëdha kapitali me prejardhje të dyshimtë nga RS në Slloveni. Portali *Necenzurirano.si* kishte zbuluar në korrik se Đorđe Đurić, bashkëpunëtor i ngushtë i Igor Dodikut (djali i Milorad Dodikut), është pronar i një vile luksoze me pishinë në Portorož, të blerë pa kredi bankare.

Lobimi dhe lidhjet me SHBA

Dodik, Igor Dodik dhe Đurić janë në listën e sanksioneve të Departamentit amerikan të Thesarit që nga administrata e Joe Bidenit, për shkak të minimit të Marrëveshjes së Dejtonit.

Megjithatë, në kohën e Donald Trumpit, qëndrimi amerikan ndaj Dodikut filloi të ndryshonte. Zyrtarisht Uashingtoni mbështet ende Dejtonin dhe sovranitetin e BiH-së, por Dodik përmes kanaleve joformale ka tentuar të zbusë politikën amerikane.

Rol kyç në këtë kanë dy persona: ish-emisari special i Trumpit, Richard Grenell, i cili muajin e kaluar u takua me Dodikun në Mal të Zi, dhe Rod Blagojevich, ish-guvernator i Illinois, që zotëron firmën lobuese RRB Strategies. Në prill të këtij viti RS angazhoi këtë firmë për 750 mijë euro, për të ndihmuar në komunikim dhe marrëdhënie publike.

Më herët, në dhjetor 2023, RS kishte nënshkruar një kontratë prej 750 mijë eurosh me avokatin izraelito-amerikan Marc Zell, i cili jeton në një vendbanim ilegal izraelit në Bregun Perëndimor dhe njihet si përfaqësues i republikanëve amerikanë në Izrael. Dodik, pavarësisht urdhërarrestit ndërkombëtar, mori pjesë në mars në një konferencë për antisemitizmin në Jerusalem.

 Qëndrimi i Sllovenisë

Ministria sllovene e Punëve të Jashtme deklaroi:
“Po ndjekim nga afër zhvillimet në BiH dhe bëjmë thirrje për respektimin dhe zbatimin konsekuent të vendimeve të gjykatave. Sundimi i ligjit është kusht themelor për afrimin e BiH-së drejt BE-së, ndërsa institucionet funksionale kanë rëndësi kyçe. Gjithmonë kemi paralajmëruar për papranueshmërinë e retorikës dhe veprimeve që minojnë integritetin territorial dhe rendin kushtetues të BiH-së.”

Ata shtuan se “për masat ndaj individëve do të vendosim në përputhje me zhvillimin e ngjarjeve, të gjitha opsionet janë në tavolinë”.

Miliona për lobim në SHBA

Ndryshe nga BiH, RS gjithmonë ka ndarë shuma të mëdha për lobim në Uashington. Midis 2007–2011, sa ishte Dodik kryeministër, u shpenzuan pothuajse 13 milionë dollarë për këtë qëllim.

Kur vitin e kaluar presioni nga SHBA dhe BE mbi Dodikun dhe bashkëpunëtorët e tij u shtua, RS e rriti ndjeshëm buxhetin për lobim – nga 5 milionë euro të planifikuara në fillim të vitit, në 27 milionë euro gjatë verës, kur u bë e qartë se Dodiku nuk do t’i shpëtonte akuzave.

 

Kategoritë
LajmeRajoni