Liverpooli është pranë një tjetër goditjeje të madhe në afatin kalimtar të verës. Sipas BBC Sport, klubi nga Anfield ka bërë hapa konkretë drejt transferimit të sulmuesit suedez Alexander Isak nga Newcastle United.
Paketa e propozuar për 24-vjeçarin kap vlerën e rreth 150 milionë eurove, çka do ta çonte totalin e shpenzimeve të Liverpoolit këtë verë në 350 milionë euro – një shifër rekorde për klubin.
Më herët gjatë këtij afati kalimtar, Liverpooli ka zyrtarizuar tri blerje të mëdha: Florian Wirtz nga Bayer Leverkusen për 137 milionë euro, Milos Kerkez për 47 milionë euro dhe Jeremie Frimpong për 35 milionë euro.
Si po i përballon Liverpooli këto shifra?
Pavarësisht shpenzimeve marramendëse, Liverpooli vazhdon të operojë brenda rregullave financiare të LigësPremier , të cilat kufizojnë humbjet për një periudhë trevjeçare.
Klubi ka përfituar 206 milionë euro nga fitimi i Ligës Premier , ndërsa të ardhurat janë rritur ndjeshëm falë zgjerimit të stadiumit Anfield Road End dhe marrëveshjes së re me Adidas, e cila hyn në fuqi më 1 gusht dhe vlerësohet në 70 milionë euro për sezon.
Gjithashtu, strategjia e klubit për të mos shpenzuar rëndë në afatet kalimtare të mëparshme i ka dhënë fleksibilitet të konsiderueshëm në këtë verë.
Eksperti: Liverpooli, model i mençur biznesi
Eksperti i njohur i financave të futbollit, Kieran Maguire, ka vlerësuar qasjen e Liverpoolit si një model të qëndrueshëm.
“Liverpooli është një klub super i zgjuar. Nga gjashtë klubet më të mëdha në Angli, ata kanë shpenzuar më pak gjatë ciklit trevjeçar – vetëm 383 milionë euro. Ata ende kanë hapësirë për të manovruar dhe transferimi i Isak ka gjasë të paguhet me këste, duke e shpërndarë koston në disa vite”, deklaroi ai.
Maguire gjithashtu thekson se modeli i Liverpoolit është ndryshe nga klubet si Manchester United, që kanë shpenzuar më shumë sesa kanë fituar nga shitjet.Nëse finalizohet transferimi i Alexander Isak, Liverpooli jo vetëm që do të përforcojë ndjeshëm repartin ofensiv, por do të dërgojë edhe një mesazh të qartë për ambiciet e larta në sezonin e ri.