Mbretëria e Bashkuar ka përditësuar udhëzimet për udhëtimet e qytetarëve britanikë që planifikojnë të vizitojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke paralajmëruar për mundësinë e arrestimit ose ndalimit nëse udhëtarët nuk i përmbushin kushtet për hyrje.
Kjo ndodh në kontekstin e shtimit të masave kundër imigracionit të paligjshëm nga presidenti amerikan Donald Trump.
“Duhet të respektoni të gjitha kushtet e hyrjes, vizave dhe çdo rregulli tjetër të përcaktuar për të hyrë në SHBA. Autoritetet amerikane zbatojnë me përpikëri dhe ashpër këto rregulla. Mund të jeni subjekt i arrestimit apo ndalimit nëse i shkelni ato,” thuhet në udhëzimet e reja.
Trump ka premtuar të realizojë deportime masive të personave që jetojnë në SHBA pa status të ligjshëm. Mandati i tij ka nisur me bastisje të mëdha ndaj emigrantëve, pezullimin e përpunimit të azilit për migrantët pa dokumente, si dhe me urdhra ekzekutivë që kanë zgjeruar kompetencat e ICE për arrestimin dhe ndalimin e tyre.
Administrata ka vënë prioritet tek përpjekjet për deportimin e miliona emigrantëve pa dokumente.
Kjo përfaqëson një ndryshim të madh krahasuar me udhëzimet e publikuara në fillim të këtij viti. Versionet e arkivuara të faqes zyrtare të Zyrës për Punë të Jashtme, Komonuelthin dhe Zhvillimin të Mbretërisë së Bashkuar (FCDO) nga fillimi i shkurtit përmendin vetëm shkurtimisht se rregullat e hyrjes në SHBA zbatohen rreptësisht, pa ndonjë paralajmërim të qartë për pasoja ligjore.
Britanikëve u kërkohet të sigurohen që kanë dokumentacion të rregullt dhe t’i përmbahen të gjitha kushteve të vizës gjatë hyrjes në SHBA.
SHBA kërkojnë disa kritere për hyrje, përfshirë edhe miratimin përmes Sistemit Elektronik për Autorizimin e Udhëtimit (ESTA) për vizitat afatshkurtra brenda Programit për Heqjen e Vizave. Mosplotësimi i këtyre kushteve mund të çojë në ndalim hyrjeje, ndalim në kufi ose deportim.
Qytetarëve britanikë që planifikojnë udhëtime në SHBA u rekomandohet të kontrollojnë rregullisht faqen e FCDO për këshillat më të fundit të udhëtimit dhe të kërkojnë udhëzime nëse nuk janë të sigurt për statusin e tyre të vizës.
Këto paralajmërime pasojnë rastin e Rebecca Burke, një 28-vjeçare nga Mbretëria e Bashkuar, e cila u ndalua dhe u deportua nga SHBA më 18 mars, sipas Shërbimit amerikan për Emigracion dhe Doganë (ICE).
Babai i saj, Paul Burke, shprehu shqetësimin përmes një postimi në Facebook, duke shpjeguar se vajza e tij nuk kishte dosje kriminale dhe ishte në rrugë për në Kanada kur iu refuzua hyrja për shkak të një “vize të pasaktë”. Më pas iu ndalua hyrja e përsëritur në SHBA, u klasifikua si “emigrante e paligjshme” dhe u mbajt nga ICE.