Vlerësohet se mbi 100.000 njerëz do të marrin pjesë sot në komemoracionin për Charlie Kirkun në stadiumin “State Farm” në Arizona, ku pritet të marrin pjesë edhe presidenti amerikan Donald Trump dhe zëvendëspresidenti JD Vance.
Komemoracioni do të fillojë në orën 20:00 sipas orës sonë, ndërsa mijëra njerëz të veshur me ngjyra të kuqe, blu dhe të bardha po mbërrijnë për të siguruar vend në stadiumin që ka kapacitet prej 63.400 ulësesh.
Organizatorët njoftuan se biletat funksionojnë sipas parimit “kush vjen i pari, zë vendin”.
Charlie Kirk, bashkëpunëtor i ngushtë i presidentit amerikan dhe aktivist kontrovers, u vra më 10 shtator përpara një turme studentësh në Universitetin Utah Valley në Orem, gjatë një aktiviteti të organizatës Turning Point USA.
Vdekja e tij tronditi kombin amerikan dhe shkaktoi reagime si nga republikanët ashtu edhe nga demokratët. Tyler Robinson u arrestua pas vrasjes së Kirkut dhe është i dyshuar për këtë krim.
Që nga vrasja, zyrtarë të lartë të administratës së Trumpit kanë kërcënuar me hakmarrje ndaj kujtdo që konsiderohet se nuk ka shprehur mjaftueshëm dhimbje për vdekjen e Kirkut. Si rezultat, u ndalua edhe emisioni popullor Jimmy Kimmel Live. Dhjetëra persona kanë humbur punën pas vrasjes së Kirkut në SHBA.
Forcat federale të zbatimit të ligjit po e trajtojnë komemoracionin me të njëjtat masa sigurie si Super Bowl-in, raporton Fox News.
Departamenti i Sigurisë Kombëtare i ka dhënë komemoracionit nivelin 1 të vlerësimit të ngjarjeve speciale, që është një nga nivelet më të larta të mundshme pas inaugurimit presidencial ose Lojërave Olimpike.