Pesë fëmijë palestinezë janë vrarë në një sulm të natës nga forcat izraelite në Gazë, ndërsa të paktën tetë anëtarë të familjes së tyre ndodhen ende nën rrënoja.
Sulmet intensive të ushtrisë izraelite vazhdojnë të marrin jetën e civilëve, ndërsa katastrofa humanitare në Rripin e Gazës po arrin përmasa të paimagjinueshme.
Përveç viktimave të tmerrshme në mesin e civilëve, ushtria izraelite shkatërroi dje plotësisht Spitalin Turk në pjesën qendrore të Gazës – i vetmi qendër mjekësore e specializuar për trajtimin e pacientëve me kancer.
Izraeli pretendon se spitali është përdorur për qëllime ushtarake nga Hamasi, por nuk ka ofruar asnjë provë që ta mbështesë këtë pohim. Pamjet që qarkullojnë në rrjetet sociale tregojnë se spitali është shkatërruar me një shpërthim të kontrolluar, e jo me sulm ajror.
Organizatat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe ekspertë të Kombeve të Bashkuara prej muajsh paralajmërojnë se shkatërrimi sistematik i institucioneve mjekësore në Gazë përbën pjesë të politikës izraelite të pastrimit etnik, me qëllim zhvendosjen e detyruar të palestinezëve nga enklava.
Që nga tetori i vitit 2023, kur Izraeli nisi fushatën brutale ushtarake, më shumë se 50.000 palestinezë janë vrarë dhe mbi 112.000 janë plagosur. Shumica dërrmuese e viktimave janë gra dhe fëmijë.
Pavarësisht dënimeve të shumta nga bashkësia ndërkombëtare, liderët izraelitë vazhdojnë me sulmet. Gjykata Penale Ndërkombëtare në nëntor të vitit të kaluar ka lëshuar urdhër-arreste për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gazë. Ndërkohë, Izraeli po përballet me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.