“Marrëdhëniet ndërmjet policive të Shqipërisë dhe Turqisë janë ndërtuar mbi një partneritet strategjik”

Një delegacion nga Policia e Shqipërisë, ka zhvilluar një vizitë në Turqi, duke marrë pjesë edhe në Panairin Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF 2025) në Stamboll.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shqipërisë, Ilir Proda, ka zhvilluar një vizitë në Turqi, ku është takuar me homologun e tij turk dhe ka vizituar edhe Panairin Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF 2025) në Stamboll, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë thuhet se delegacioni shqiptar u prit në një takim miqësor dhe të ngrohtë nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë turke, guvernatori Mahmut Demirtaş, i shoqëruar nga drejtori i Departamentit për Bashkëpunim Ndërkombëtar, Drejtues i Lartë Gökhan Demirtola dhe drejtori i Departamentit për Interpolin dhe Europolin, Drejtues i Lartë Mustafa Serkan Sabanca.

Proda shoqërohej në këtë vizitë nga drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Drejtues i Lartë Neritan Nallbati dhe drejtori i Departamentit për Marrëdhëniet Ndërkombëtare, Drejtues i Lartë Pëllumb Seferi.

“Demirtaş e përgëzoi drejtorin e Policisë shqiptare, Ilir Proda, për frymën e re të bashkëpunimit dhe vendosmërinë për të forcuar më tej marrëdhëniet me partnerët dhe me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare. Ai shprehu gatishmërinë që Policia turke të vazhdojë të jetë një mbështetje e fuqishme për Policinë e Shtetit (të Shqipërisë). Drejtor Proda e falënderoi homologun turk, për pritjen dhe për mbështetjen, dhe e njohu atë me vizionin e tij për një transformim të mëtejshëm të Policisë së Shtetit, me një shërbim gjithnjë e më cilësor për qytetarët dhe një forcë policore më profesionale dhe të besueshme në përballjen me krimin e organizuar dhe terrorizmin”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, në takim u theksua se marrëdhëniet ndërmjet dy policive janë ndërtuar mbi një partneritet strategjik dhe një histori të gjatë bashkëpunimi, “i cili është intensifikuar në vazhdimësi për të përballuar sfidat e përbashkëta të sigurisë”.

“Gjatë bisedës, drejtuesit vlerësuan se bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit (të Shqipërisë) dhe Policisë turke është i gjithanshëm dhe nuk njeh barriera. Ai shtrihet në fusha kyçe si: lufta kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve; bashkëpunimi në fushën e antiterrorizmit dhe të sigurisë publike; kapja, arrestimi dhe ekstradimi i shtetasve në kërkim ndërkombëtar; mbështetja logjistike dhe teknologjike pas sulmeve kibernetike ndaj institucioneve shqiptare; arsimi dhe trajnimi i përbashkët i punonjësve të Policisë, si dhe menaxhimi i kufijve dhe i emigracionit”, theksohet në njoftim.

Në përfundim të vizitës zyrtare në Stamboll, delegacioni shqiptar i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Turke, vizitoi Panairin Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF 2025), ku u njoh nga afër me teknologjitë më të fundit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Kategoritë
LajmeRajoni