Gazetari kroat Domagoj Margetić ka publikuar një dokument të ri që, sipas tij, dëshmon përfshirjen e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, në të ashtuquajturin “Sarajevo safari” – vrasjen e civilëve të pafajshëm në kryeqytetin e Bosnjë-Hercegovinës.
Publikimi i dokumentit vjen pasi Vuçiç, disa ditë më parë, gjatë një interviste në FTV lidhur me “Sarajevo safari”, deklaroi: “e dini që po gënjeni”.

“ Nuk ka mënyrë më të mirë dhe më gazetarie për t’iu përgjigjur fyerjeve të Vuçiç-it sesa publikimi i një dokumenti tjetër që dëshmon pjesëmarrjen e tij në safaritë njerëzore në Sarajevën e kohës së luftës. Duke qenë se në intervistën për Federal TV më akuzoi sërish se po gënjej – gjë që u transmetua nga të gjitha mediat në rajon – asgjë nuk dëshmon më mirë se ai po gënjen sesa ky dokument,” tha Margetiç.
Sipas tij, dokumenti i Njësisë Çetnike të Novo Sarajevës, me numër 72-08/92, i datës 23 gusht 1992 dhe i nënshkruar nga komandanti Slavko Aleksiç, dëshmon disa fakte të rëndësishme dhe hap një sërë pyetjesh kyçe lidhur me “safaritë njerëzore” gjatë luftës në Sarajevë.
“ Aleksandar Vuçiç edhe në intervistën e fundit propagandistike për Federal TV pretendoi se kurrë nuk ka mbajtur armë mbi Sarajevë dhe nuk ka qëlluar. Ky dokument dëshmon se Aleksandar Vuçiç po gënjen. Me urdhrin nr. 72-08/92, komandanti Slavko Aleksiç urdhëroi logjistikën e njësisë që Vuçiç-it t’i jepej një pushkë ‘Zastava M59/66’, e njohur si ‘papovka’. Kushdo që ka pasur lidhje me ushtrinë apo ka shërbyer në JNA e di se në atë video mbi Sarajevë Vučić mban pikërisht këtë model arme,” tha ai.
Margetić shtoi se këtij modeli “papovke” mund t’i vendoset optikë dhe se arma është shumë precize, duke u përdorur edhe si pushkë snajperi.
“ Përveç kësaj, ky dokument – i cili duket se është hartuar pikërisht gjatë ardhjes së Aleksandar Vuçiç-it në pozicionet për gjuetinë snajperiste ndaj civilëve, pra në vendet e ‘safarive njerëzore’ në Varrezat Hebraike të Sarajevës – dëshmon edhe një herë se Vuçiç ishte caktuar si udhërrëfyes dhe shoqërues i mysafirëve të huaj që vinin për safaritë njerëzore. Për më tepër, dokumenti dëshmon edhe lidhjen e Aleksandar Vuiçiç-it me Shërbimin Shtetëror të Sigurisë së Serbisë, i cili në atë kohë drejtohej nga Jovica Stanishiç, i dënuar për krime lufte. Kjo konfirmon edhe informacione të tjera se Vuçiç, gjatë lëvizjeve si vullnetar në Bosnje-Hercegovinë dhe gjatë pjesëmarrjes aktive në rrethimin e Sarajevës, përdorte letërnjoftim zyrtar të Sigurisë Shtetërore. Kjo, natyrisht, hap pyetje të mëtejshme se në çfarë mase sigurimi i luftës i Serbisë e përdorte Shesheljin, partinë e tij SRS dhe këto njësi si ekspoziturë ilegale të DB-së për punë dhe detyra të pista?!”, përfundoi Margetić.



















