Marcus Thuram ndez edhe më shumë polemikat: “Pëlqimi” për Calhanoglun nxjerr në pah përçarjet te Interi

Tensionet në dhomat e zhveshjes së Interit po rriten, dhe në qendër të vëmendjes këtë herë është sulmuesi Marcus Thuram, i cili ka ndezur polemika me një veprim të thjeshtë në rrjetet sociale: një “pëlqim” për postimin sqarues të Hakan Calhanoglut.

Pas përfoljeve për një largim të mundshëm të mesfushorit turk dhe deklaratave indirekte të kapitenit Lautaro Martinez, i cili u shpreh se “kushdo që nuk dëshiron të qëndrojë te Interi, duhet të largohet”, reagimi i Thuram shihet si një shenjë e hapur mbështetjeje për Calhanoglun.

Postimi i mesfushorit, ku ai mohoi zërat se mungesa në Kupën e Botës për Klube kishte të bënte me një transferim të mundshëm dhe këmbënguli se ishte jashtë për shkak të një dëmtimi, është përkrahur publikisht nga Thuram.

Sipas Calciomercato.com, sulmuesi francez është i vetmi lojtar aktual i Interit që ka reaguar me “like”, duke hedhur dritë mbi ndarjet e mundshme brenda skuadrës.

Ky veprim, ndonëse simbolik, ka nxitur spekulime për një përçarje në grupin e lojtarëve, në një moment të ndjeshëm për skuadrën pas eliminimit nga Kupa e Botës për Klube.

Përveç Thuram, postimin e Calhanoglu e kanë pëlqyer edhe Gaia Lucariello (gruaja e ish-trajnerit Simone Inzaghi) dhe ish-sulmuesi i Interit, Marko Arnautovic – duke rritur edhe më tej zërat për një klimë të tendosur në ambientin zikaltër.Tashmë, vëmendja do të fokusohet te reagimet e klubit dhe bashkëpunimi i grupit gjatë përgatitjeve për sezonin e ri – ndërsa dilemat rreth të ardhmes së Calhanoglu dhe unitetit brenda skuadrës mbeten të hapura.

 

Kategoritë
LajmeSport