Mal i Zi, Gjykata e Lartë liron dy shtetasit turq të arrestuar me pretendimet për përfshirje në incidentin me thikë

Gjykata ka konstatuar se Y.G. dhe N.D. kishin qenë në vende të tjera në kohën e ngjarjes, gjë që është vërtetuar me pamjet e kamerave të sigurisë, thuhet në një deklaratë.

Gjykata e Lartë e Podgoricës në Mal të Zi njoftoi se dy persona të arrestuar për shkak të pretendimeve për “përfshirje të qytetarëve turq në një sulm me thikë” në kryeqytet, nuk kanë lidhje me ngjarjen dhe janë liruar, transmeton Anadolu.

Gjykata publikoi një deklaratë me shkrim lidhur me situatën e dy personave të përfshirë në rastin e sulmit me thikë në Podgoricë.

Në deklaratë thuhet se Prokuroria e Lartë e Podgoricës kishte ngritur akuzë për “tentativë vrasjeje” ndaj Y.G. dhe N.D.

Sipas deklaratës, gjyqtari hetues kishte urdhëruar arrestimin e të dyshuarve bazuar në dëshminë e viktimave dhe procesverbalin e identifikimit, ndërsa të pandehurit kishin kundërshtuar vendimin.

U konstatua se Y.G. dhe N.D. kishin qenë në vende të tjera në kohën e ngjarjes, gjë që u vërtetua me pamjet e kamerave të sigurisë, thuhet në deklaratë.

“Pas shqyrtimit u përcaktua se mbrojtja e të pandehurve ishte e vërtetë, se ata ndodheshin në banesat e tyre në kohën e ngjarjes dhe për këtë arsye nuk ka më dyshime të arsyeshme ndaj tyre. Në përputhje me këtë, gjyqtari hetues ka hequr masën e arrestit për Y.G. dhe N.D. Rikujtojmë se vendimi për lirimin e tyre nuk lidhet me ndryshimin e kualifikimit të veprës, por sepse gjatë hetimit u përcaktua se nuk ekziston dyshim i arsyeshëm se ata kanë kryer veprën ‘tentativë vrasjeje’”, thuhet më tej.

Mediat malazeze raportuan pretendime se “qytetarë turq janë përfshirë në një sulm me thikë në Podgoricë”, pas së cilave kryeministri malazez Milojko Spajiq njoftoi pezullimin e përkohshëm të regjimit pa viza për qytetarët turq.

Kategoritë
LajmeRajoni