Një patrullë izraelite u nis nga qyteti i pushtuar al-Hamidiyah dhe kaloi në afërsi të fshatit Ofaniya përpara se të vazhdonte drejt zonës al-Tall al-Ahmar.
Forcat izraelite përparuan në zonat rurale veriore të Quneitrës në Sirinë jugore sot, duke dërguar një konvoj automjetesh ushtarake drejt kodrës strategjike al-Tall al-Ahmar, sipas medias shtetërore, transmeton Anadolu.
Një patrullë e përbërë nga 12 automjete, duke përfshirë kamionë “Hilux”, transportues trupash dhe xhipa, u nis nga qyteti i pushtuar al-Hamidiyah dhe kaloi në afërsi të fshatit Ofaniya përpara se të vazhdonte drejt zonës al-Tall al-Ahmar, raportoi Agjencia Arabe Siriane e Lajmeve (SANA).
Nuk pati asnjë koment të menjëhershëm nga ushtria izraelite ose autoritetet siriane mbi raportin e medias.
Në muajt e fundit, ushtria izraelite ka organizuar disa bastisje ndërkufitare në provincat jugore të Sirisë, përfshirë Quneitrën, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare për ndalimin e shkeljeve të sovranitetit të Sirisë.
Pas rënies së regjimit të Bashar al-Assadit në fund të vitit 2024, Izraeli zgjeroi pushtimin e Lartësive të Golanit në Siri duke pushtuar zonën e demilitarizuar tampon, një veprim që shkeli Marrëveshjen e Mosangazhimit të vitit 1974 me Sirinë.












