Parlamenti hungarez miratoi të hënën në mbrëmje një amendament të ndërlikuar kushtetues, me të cilin, ndër të tjera, i jepet fund mandatit të presidentit aktual me vetëm një fjali.
“Në ditën e hyrjes në fuqi të këtij amendamenti kushtetues, mandati i presidentit përfundon”, është fjalia që nënkupton edhe fundin e mandatit të Tamás Sulyokut në postin e presidentit të Hungarisë.
Tamás Sulyok tani përballet me një zgjedhje të vështirë: ose do ta nënshkruajë shkarkimin e tij brenda pesë ditësh, ose do të përballet me procedurë për shkarkim. Në të dyja rastet, betejën politike me shumë gjasë do ta fitojë kryeministri i ri hungarez, Péter Magyar, i cili po i zbaton premtimet e tij parazgjedhore me një shpejtësi dhe vendosmëri të jashtëzakonshme.
Magyar nuk i kishte fshehur synimet e tij para zgjedhjeve të përgjithshme të 12 prillit. Një nga premtimet e tij kryesore ishte shkarkimi i personave të emëruar nga paraardhësi i tij, Viktor Orbán, mes të cilëve presidenti, kryeprokurori dhe kryetari i Gjykatës Supreme. Të gjithë konsideroheshin besnikë të Orbanit dhe besohej se mund të ndërmerrnin hapa për ta bllokuar punën e qeverisë së re, veçanërisht në rast se ajo do t’i fitonte zgjedhjet me një diferencë të ngushtë.
Megjithatë, partia Tisza e Magyarit fitoi bindshëm dhe tani zotëron shumicën e nevojshme për ta ndryshuar Kushtetutën dhe për të miratuar ligje të reja, njësoj siç kishte vepruar partia Fidesz e Orbanit gjatë 16 viteve të saj në pushtet.
Pas vendimit të sotëm të Parlamentit hungarez reagoi edhe Viktor Orbán.
“Hungaria do të ketë të drejtën e rezistencës nëse presidenti Tamás Sulyok largohet me forcë nga posti. Ne do ta shfrytëzojmë këtë të drejtë”, deklaroi Orbán.
Ai theksoi se Fidesz nuk do t’i njohë si legjitime dhe të ligjshme “metodat agresive të autokracisë”.
Orbán shtoi se një president që do të “emërohej në mënyrë të paligjshme” nuk mund të marrë vendime të ligjshme, raportoi MTI.




















