Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, deklaroi të hënën se tetë anije luftarake amerikane me 1.200 raketa kanë shënjestruar vendin e tij, të cilin e shpalli në gjendje “gatishmërie maksimale për mbrojtje”.
Shtetet e Bashkuara, të cilat e akuzojnë Maduron se udhëheq një kartel droge, kishin paralajmëruar dislokimin e anijeve luftarake në Karaibet jugore në kuadër të asaj që e quajtën operacion kundër kontrabandës së drogës. Megjithatë, nuk kishin paraqitur ndonjë kërcënim për pushtim.
Por Maduro, në një takim me mediat ndërkombëtare në Caracas, e dënoi këtë si “kërcënimin më të madh që është parë në kontinentin tonë në 100 vitet e fundit”, në formën e “tetë anijeve luftarake me 1.200 raketa dhe një nëndetëse që synojnë Venezuelën”.
Një nga anijet, një kryqëzor me raketa të drejtuara, u pa të premten në mbrëmje duke kaluar përmes Kanalit të Panamasë nga Paqësori drejt Karaibeve. Maduro tha se “si përgjigje ndaj presionit maksimal ushtarak, është shpallur gatishmëria maksimale për ta mbrojtur Venezuelën”.
Ai shtoi se më shumë se tetë milionë venezuelianë janë regjistruar si rezervistë. Caracas tashmë ka shpallur patrullime të shtuara në ujërat territoriale. Uashingtoni ka dyfishuar shpërblimin për kapjen e Maduros në 50 milionë dollarë. Zgjedhjet e tij të rizgjedhjes në vitet 2018 dhe 2024, SHBA dhe pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar nuk i kanë njohur, duke i cilësuar si të manipuluara dhe të shoqëruara me represion ndaj votuesve.
Gjakderdhje
Maduro, i njohur për fjalimet e tij të zjarrta, shpesh antiamerikane, të hënën tha se kanalet e komunikimit me SHBA-të janë ndërprerë dhe premtoi se vendi i tij “kurrë nuk do t’i nënshtrohet shantazheve apo kërcënimeve”.
Në një konferencë për shtyp ai paralajmëroi se sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio po përpiqet ta shtyjë presidentin Donald Trump “në një gjakderdhje… me një masakër ndaj popullit të Venezuelës”.
Megjithatë, dislokimin e ushtrisë amerikane e përshëndeti presidenti i Guajanës, Irfaan Ali, si “çdo gjë që eliminon çdo kërcënim ndaj sigurisë sonë”.
Georgetowni dhe Caracasi janë në konflikt për rajonin kufitar të pasur me naftë Essequibo, që përbën dy të tretat e territorit të Guajanës, por mbi të pretendon edhe Venezuela.
Retorika bilaterale është rritur që kur kompania ExxonMobil zbuloi rezerva gjigante nafte në brigjet e Essequibos, që ka qenë nën administrimin e Guajanës për më shumë se 100 vjet. Maduro ka qenë në fokusin e Trumpit që nga mandati i tij i parë presidencial në vitin 2017.
Por politika e “presionit maksimal” e Trumpit ndaj Venezuelës, përfshirë embargon e naftës, nuk arriti ta rrëzojë Maduron nga pushteti. Analistët deklaruan për AFP se dislokimi i ushtrisë amerikane gjasat janë që nuk do të përfundojë me pushtim apo sulm, por synon të rrisë presionin ndaj Maduros – i cili e ka akuzuar shpesh Trumpin se po përpiqet të kryejë ndryshim regjimi.
Javën e kaluar, Caracas kërkoi nga Kombet e Bashkuara të përfshihen në konflikt, duke kërkuar “ndërprerjen e menjëhershme të dislokimit ushtarak amerikan në Karaibe”.
Të hënën Maduro tha se Venezuela është e gatshme për një “periudhë lufte të armatosur në mbrojtje të territorit kombëtar” në rast sulmi.