Maduro, në kulmin e tensioneve me SHBA-të, u mburr me telefonin e ri: “Askush nuk mund ta përgjojë”

Presidenti i Venezuelës, Nicolás Maduro, u mburr në një konferencë për shtyp me një dhuratë që kishte marrë nga lideri kinez, Xi Jinping.

Bëhet fjalë për një celular të markës Huawei, të cilin Maduro e quajti “telefonin më të avancuar dhe më të sigurt në botë”. Ai shtoi se telefoni është i papërshkueshëm nga çdo përgjim, madje edhe ai satelitor.

“Nuk mund ta përgjojnë as gringot,” tha Maduro, duke iu referuar amerikanëve.

Ndërkohë, Maduro përballet me probleme të mëdha në vendin e tij, pasi tensionet mes Venezuelës dhe Shteteve të Bashkuara kanë arritur kulmin ditët e fundit.

Maduro dje deklaroi se grumbullimi i forcave amerikane në Karaibe ka për qëllim rrëzimin e qeverisë së tij dhe se është i gatshëm të shpallë një “republikë të armatosur” nëse forcat amerikane e sulmojnë.

Në një nga deklaratat e rralla për gazetarët, Maduro tha se Venezuela synon paqen, por ushtria e tij është e përgatitur t’u përgjigjet çdo sulmi të forcave amerikane.

“Ata kërkojnë ndryshim regjimi përmes kërcënimit ushtarak. Venezuela po përballet me kërcënimin më të madh që është parë në kontinentin tonë në 100 vitet e fundit,” tha ai.

Sipas SHBA-ve, arsyeja për grumbullimin e ushtrisë në Karaibe është detyrimi i Maduros që të përballet me kartelët e drogës me ushtrinë e tij.

 

Kategoritë
BotaLajme