Maduro i shkroi Trumpit pas sulmeve amerikane mbi anijet venezuelase, kërkon bisedime me Grenellin

Lideri venezuelas, Nicolas Maduro, i ka shkruar presidentit amerikan Donald Trump disa ditë pas një sulmi amerikan mbi një anije të dyshuar për narkotikë dhe ka ofruar të përfshihet në bisedime të drejtpërdrejta me të dërguarin special Richard Grenell.

Në letrën e tij, e cila u shpërnda në Telegram nga zëvendëspresidentja e Venezuelës, Delcy Rodriguez, dhe e cila u konfirmua për CNN nga një burim amerikan i njohur me rastin, Maduro mohon përfshirjen në tregtinë e drogës, duke i quajtur akuzat “lajme të rreme, të propaganduara përmes kanaleve të ndryshme mediatike”. Ai ofron të marrë pjesë në një “bisedë të drejtpërdrejtë dhe të sinqertë me të dërguarin tuaj special.”

Letra, e nënshkruar nga Maduro, mban datën 6 shtator, katër ditë pasi një sulm amerikan vrau 11 venezuelas në një anije për të cilën SHBA pretendon se përdorej për transport droge.

Javën e kaluar SHBA kreu edhe disa sulme mbi skafet, duke e çuar numrin e të vrarëve në mbi dhjetë të ashtuquajtur trafikantë droge, megjithëse Shtëpia e Bardhë nuk ka paraqitur ende prova përfundimtare ose të dhëna të inteligjencës që konfirmojnë se të vrarët ishin me të vërtetë kriminelë.

Administrata e presidentit Trump ka akuzuar Maduron se është një nga trafikantët më të mëdhenj të drogës në botë dhe se bashkëpunon me kartelet për të mbushur SHBA-në me kokainë të përzier me fentanil. Në gusht, ajo dyfishoi shpërblimin për kapjen e tij në 50 milionë dollarë.

Rritja e tensioneve midis dy vendeve çoi SHBA-të të dislokojnë anije luftarake në rajon, duke thënë se ishte një mision kundër trafikut të drogës, ndërsa Maduro pretendon se bëhet fjalë për një përpjekje për ndërrim regjimi.

Venezuela u kundërpërgjigj duke nisur stërvitje ushtarake dhe duke shfaqur avionët e saj luftarakë si demonstrim force. Ajo gjithashtu pretendon se ka mobilizuar miliona pjesëtarë të milicisë.

Në letrën e tij, Maduro shkruan se i ka dërguar SHBA-së atë që e quan “të dhëna bindëse mbi prodhimin dhe tregtinë e drogës që tregojnë se Venezuela është territor i lirë nga prodhimi i drogës.”

I nderuar president, ju ftoj të promovoni paqen përmes dialogut konstruktiv dhe mirëkuptimit të ndërsjellë në gjithë hemisferën,” shkruan Maduro në letër.

Grenell, ish-ambasadori amerikan në Gjermani, këtë vit është takuar disa herë me Maduron për të siguruar lirimin e shtetasve amerikanë të mbajtur padrejtësisht në Venezuelë në këmbim të qindra migrantëve venezuelas që Shtëpia e Bardhë kishte dërguar më herët në Salvador.

Të martën, Grenell bëri thirrje publikisht për deeskalim të konfliktit, duke thënë se beson se SHBA dhe Venezuela “ende mund të arrijnë një marrëveshje” për të shmangur luftën.

Kategoritë
BotaLajme