Madueke zbulon arsyen përse iu bashkua Arsenalit

Pas transferimit të tij nga Chelsea te Arsenali, Noni Madueke ka shprehur emocionet dhe pritshmëritë për kapitullin e ri në karrierën e tij.

Sulmuesi anësor u shpreh se beson fuqishëm në këtë hap të ri dhe se do të bëjë gjithçka për të ndihmuar ekipin të arrijë objektiva të mëdha.

“Unë jam dikush që ndjek instinktin tim dhe deri më tani kjo më ka çuar gjithmonë në drejtimin e duhur”, deklaroi Madueke për faqen zyrtare të klubit.

“Nuk mendoj se këtu do të jetë ndryshe. Jam shumë i lumtur që jam pjesë e Arsenalit dhe besoj se do të jetë një sukses i madh”.

23-vjeçari theksoi edhe emocionet personale pas kalimit te Arsenali, duke e quajtur këtë transferim një rikthim në shtëpi.

“Jam ndier shumë i qetë gjatë gjithë procesit, duke pritur dritën jeshile për të ardhur këtu. Kur arrita sot, gjithçka m’u duk reale. Është një moment krenarie për mua dhe për familjen time. Është fantastike të jem pranë prindërve të mi – e di që mami më ka munguar”, shtoi anglezi.

Madueke shtoi se mezi pret të përshtatet me stilin e lojës së Arsenalit dhe të japë kontributin e tij në objektivat madhore të klubit.

“Ekipi tashmë ka një identitet të qartë dhe mezi pres të sjell stilin tim në skuadër. Dua t’i ndihmoj djemtë sa më shumë që të jetë e mundur për të bërë hapin tjetër”.

Kur u pyet për objektivat e sezonit të ardhshëm, Madueke tregoi ambicie të larta: “Ne duam të fitojmë të gjitha garat në të cilat marrim pjesë. Besoj se jemi plotësisht të aftë ta bëjmë këtë. Unë dua të ndihmoj ekipin në çdo mënyrë që mundem dhe të rritem si lojtar dhe si njeri”.

Kategoritë
LajmeSport