Presidenti brazilian Luiz Inácio Lula da Silva deklaroi se planet e presidentit amerikan Donald Trump për vendosjen e tarifave ndaj anijeve që kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit do t’i shndërrojnë Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një shtet “pirat”.
Trump më herët paraqiti një plan për marrjen nën kontroll të kësaj rruge kyçe detare. Ndër propozimet kryesore të tij është vendosja e një tarife prej 20 për qind për të gjitha ngarkesat që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit, me qëllim që të “kompensohen shpenzimet” e sigurimit të kësaj rruge nga SHBA-ja.
Nga ana tjetër, ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, deklaroi me ironi se pajtohet me pagesën për sigurinë, por theksoi se Irani është kujdestari i vetëm i vërtetë dhe i përhershëm i ngushticës, ndërsa tarifa amerikane prej 20 për qind është tepër e lartë.
Lula paralajmëroi se bota nuk duhet ta pranojë luftën që, sipas tij, Shtetet e Bashkuara e kanë nxitur me arsyetimin se Irani po zhvillon armë bërthamore.
Ai i cilësoi hapur si “gënjeshtra” akuzat amerikane ndaj Teheranit dhe përmendi vizitën e tij në Iran në vitin 2010, kur ndërmjetësoi në negociata së bashku me udhëheqjen e atëhershme të Turqisë.
“Mund të them se kjo është gënjeshtër, sepse kam qenë në Iran në vitin 2010. Isha atje me presidentin Ahmadinejad dhe së bashku me presidentin e Turqisë nënshkruam një marrëveshje që Irani të mos prodhonte armë bërthamore, por ta pasuronte uraniumin vetëm për qëllime paqësore dhe shkencore, njësoj siç bën Brazili”, tha ai.
Udhëheqësi brazilian bëri një krahasim të drejtpërdrejtë me pushtimin e Irakut, duke ia kujtuar bashkësisë ndërkombëtare akuzat e pabazuara që i paraprinë atij konflikti.
“Në të njëjtën mënyrë, pretenduan se Saddam Husseini kishte armë kimike dhe më pas shkuan dhe e shkatërruan Irakun. Ku janë ato armë kimike? Më shumë se njëzet vjet më vonë, ende pyesim se ku janë”, përfundoi Lula.




















