Lideri i “Ujqërve të Natës”: Anëtarët tanë të grupit ekstremist rus, gjenden në barrikada në veri të Kosovës

Drejtuesi i grupit ekstremist rus “Ujqërit e Natës” konfirmon se disa anëtarë gjenden në barrikada në veri të Kosovës.

Aleksandr Zaldostanov me anë të një postimi në Telegram ka shkruar se “Fitorja e Serbisë është fitorja e Rusisë”.

“Drejtuesi i ‘Ujqërve të Natës’, Aleksandr Zaldostanov ka njoftuar në kanalin e tij Telegram, se anëtarët e organizatës së tij, e cila është në listën e zezë të BE-së dhe SHBA-së, ndodhen në barrikada në veri të Kosovës. ‘Fitorja e Serbisë është fitorja e Rusisë’”, ka shkruar Zaldostanov.

Ata shihen duke i dhënë përkrahje vendosjes së këtyre barrikadave, të vendosura një javë më parë, duke thënë se fitorja e Serbisë do të jetë po ashtu fitore e Rusisë

Kjo organizatë ekziston që nga viti 1980, kur u themelua si një klub i dashamirëve të motoçikletës dhe muzikës rock.

Ata kanë zhvilluar lidhje të forta me Putinin, i cili shpesh në media i përshkruajnë si “miq”. Ky grup ekstremist janë pjesëmarrës të rregullt në marshimet nacionaliste, të financuara nga Kremlini dhe thellësisht të përfshirë në strukturën e Kishës Ortodokse Ruse.

Kur Putin erdhi në Beograd në vitin 2011 për një ndeshje mes Zenitit dhe Yllit të Kuq [Crvena Zvezda], Goran Jovanoviq – Fonza ishte ulur pranë tij në pjesën e personave VIP. Fonza është kryetar i degës serbe të këtij grupi ekstremist.

Këta janë të njohur për mbështetjen e tyre për serbët nga Kosova, por edhe për “punën e tyre humanitare” dhe mbështetjen për “Vëllezërit Ortodoks”.

Ish-presidenti serb Tomislav Nikoliq ka pritur Zaldastanovin dhe ka marrë dhuratë prej tij një jelek të motorristëve me stemat e Serbisë dhe Rusisë. Ai është pritur edhe nga ish-patriarku Irinej. Ata janë fotografuar disa herë në prani të Milorad Dodikut dhe Aleksandar Vulinit.

Besohet gjerësisht se anëtarët e këtij klubi motoçiklistësh synojnë të nxisin ndjenjën anti-perëndimore në Ballkan, ku kanë lidhje të forta me politikanët pro-rusë në rajon.

Me fjalë të tjera, Kremlini këta i ka nxjerrë nga margjina për të përdorur pro-putinizmin e tyre, ortodoksinë dhe retorikën anti-amerikane./KosovaPress

Kategoritë
LajmeVendi