Së fundmi në barrikadën në Rudarë kishte mbetur vetëm një kamion në anë të rrugës, por me largimin edhe të tij, nga shoferë me maska, rruga u lirua për qarkullim
Në barrikadën në Rudarë të Komunës së Zveçanit në veri të vendit është larguar edhe kamioni i fundit që ishte në anë të rrugës, rreth orës 17:00, raporton Anadolu Agency (AA).
Së fundmi në barrikadën në Rudarë kishte mbetur vetëm një kamion në anë të rrugës, por me largimin edhe të tij, nga shoferë me maska, rruga u lirua për qarkullim.
Largimi i makinerive të rënda nga barrikada filloi rreth orës 15:00.
Në të njëjtën kohë, heqja e barrikadave filloi edhe në rrugët në komunën Zubin Potok dhe Leposaviq.
Në veri të vendit kanë qenë të vendosura disa barrikada, kryesisht në rrugët që çojnë në dy pikat kufitare të Kosovës me Serbinë, Jarinje dhe Bërnjak, të cilat u vendosën nga 10 dhjetori, por të cilat po largohen nga rruga.
Pika kufitare “Merdare”, e cila për dy ditë ka qenë e bllokuar në anën e territorit serb, sot në mëngjes u lirua dhe Policia e Kosovës njoftoi se gjithçka në këtë pikë u kthye në normalitet.
Vendimi për heqjen e barrikadave nga rrugët është marrë pas bisedimeve ndërmjet përfaqësuesve të serbëve të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të mbajtura në Rashkë, një qytet serb jo larg kufirit me Kosovën.
Kushtet për heqjen e barrikadave u krijuan pasi Gjykata Themelore në Prishtinë dje, me kërkesë të Prokurorisë Speciale të Kosovës, e zëvendësoi masën nga paraburgimi në arrest shtëpiak për ish-policin serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, për arsye shëndetësore dhe për mungesë kushtesh për të.
