Tifozët e Liverpoolit, me trishtim të madh, po i thonë lamtumirë Diogo Jotës, dhe përjetësisht do ta mbajnë mend se goli i tij i fundit në karrierë dhe në jetë ishte ai vendimtar në derbin qytetas.
Goli i fundit për Liverpoolin, por edhe i fundit në tërë jetën e tij, Diogo Jota e shënoi për fitoren 1:0 kundër Evertonit. Fati deshi që ky gol kaq i rëndësishëm të ishte po ai i fundit në karrierën dhe jetën e tij.
Ishte data 2 prill e këtij viti kur në Anfield u përballën Liverpooli dhe Evertoni. Reds-at po luftonin për titullin e Premier Ligës, dhe pikërisht ky gol iu solli fitoren që hapi rrugën drejt titullit.
Ai është një vepër miniaturë: përmes driblimeve kaloi dy mbrojtës të Evertonit, pastaj me një gjuajtje të saktë goditi rrjetën e rivalit qytetas. Luhej minuta e 57-të, dhe Evertoni nuk arriti të kthehej në ndeshje deri në fundin e takimit.
Tifozët e Liverpoolit e festuan dhe e deshën si të birin e klubit. Edhe pse u përball me shumë lëndime që prej ardhjes nga Wolverhamptoni në 2020, sa herë që dilte në fushë bënte maksimumin dhe ishte kërcënim i madh për portierët kundërshtarë.
Për fat të keq, sot në mëngjes konfirmuan lajmin katastrofik për vdekjen e tij. Diogo Jota, së bashku me vëllanë André Silva, humbi jetën në një aksident automobilistik në Spanjë.
Dy vëllezërit futbollistë u përballën me fatkeqësi në autostradë. Në automjetin Lamborghini Urus shpërtheu goma me shpejtësi të plotë, shoferi humbi kontrollin dhe makina u përfshi nga flakët pas goditjes së fortë. Asnjë mundësi shpëtimi për dy futbollistët nuk pati.