– Nga 93 deputetë të regjistruar në sallën e Kuvendit, vetëm 16 kanë votuar pro rezolutës për ndihmë humanitare në Gaza, të propozuar nga deputetë të opozitës
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut dështoi sot në një votim që në rend dite të vendoset një rezolutë për Rripin e Gazës, e cila bën thirrje për lejimin e hyrjes së ndihmave humanitare në enklavën palestineze të shkatërruar nga sulmet izraelite, transmeton Anadolu.
Nga 93 deputetë të regjistruar në sallën e Kuvendit, vetëm 16 kanë votuar pro rezolutës për ndihmë humanitare në Gaza, të propozuar nga deputetë të opozitës.
Pas dështimit të votës, kryesuesi Antonio Milloshovski konstatoi se propozimi nuk është miratuar.
Deputeti Skender Rexhepi ka reaguar në rrjetet sociale pas këtij zhvillimi, duke thënë se, “Do të vazhdojmë të ngremë zërin pasi që jemi njerëz dhe duhet të dëshmojmë se jemi në anën e duhur të historisë”.
Edhe partia “E Majta” ka reaguar për mosvendosjen e rezolutës në rend dite.
“Ndërsa fëmijët palestinezë po vdesin nga uria, parlamenti i Maqedonisë së Veriut jo vetëm që nuk arrin të dënojë sionizmin e Izraelit (ndryshe nga shumë vende evropiane), por as nuk arrin të kërkojë me turp ndihmë humanitare përballë gjenocidit më të madh të kohës sonë”, ka deklaruar deputetja e kësaj partie, Jovana Mojsoska, e cila tha se gjashtë deputetë të partisë së saj votuan pro rezolutës.
Izraeli ka vrarë më shumë se 59.200 palestinezë në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Fushata ushtarake e ka shkatërruar enklavën, ka shembur sistemin shëndetësor dhe ka çuar në mungesa të mëdha ushqimore.
Aktualisht, Gaza po përballet me një uri ekstreme, ndërsa organizatat kryesore ndërkombëtare të të drejtave të njeriut apelojnë për veprime urgjente për të mundësuar hyrjen e furnizimeve themelore për banorët e rajonit.