Kush është veterani i KGB-së që u prit sot Stevandiq: “Nëse fitojmë në Siri, kalojmë në Ballkan”

Kryetari i Kuvendit Popullor të Republikës Srpska, Nenad Stevandić, sot priti në Banja Llukë akademikun rus dhe ish-agjentin e inteligjencës, Igor Nikolajeviç Panarin.

“Është nder të mikpres akademikun rus, profesor doktor Igor Nikolajeviç Panarin. I shpreha mirënjohje të madhe për vizitën e tij në Republikën Srpska dhe interesimin për situatën politike në Bosnje e Hercegovinë, si dhe për vuajtjet e serbëve gjatë shekullit XX, veçanërisht në kompleksin famëkeq të kampit të vdekjes në Jasenovac”, shkroi Stevandiq në rrjetin X.

Kush është Igor Panarin?

Panarin ka lindur më 1958 dhe është diplomuar në Akademinë për Komunikim të KGB-së dhe në psikologji në Akademinë Ushtarako-Politike. Nga viti 2001 deri më 2004 ka qenë shef i sektorit analitik në Komisionin Qendror Zgjedhor të Rusisë. Aktualisht është dekan i Fakultetit të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Akademinë Diplomatike të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë.

Ai ka botuar mbi 15 libra me përmbajtje kundër globalizmit dhe kundër Perëndimit politik, duke pretenduar se boshti Londër-Washington po zhvillon një luftë globale kundër ortodoksisë. Për këtë arsye, konsiderohet një prej propagandistëve kryesorë të regjimit të Putinit.

“Ballkani është Siria jonë”

Panarin ka artikuluar shpesh interesimin e tij për Ballkanin dhe është autor i konceptit të Unionit Euroaziatik, që sipas tij do të kishte katër qendra të mëdha: Shën Petersburg, Kievi, Alma-Ata dhe Beogradi.

Në një intervistë për mediat serbe në vitin 2013, Panarin deklaroi:

“Çështja e Kosovës do të zgjidhet së bashku me çështjen e Sirisë. Nëse e mbrojmë Sirinë, do ta ndalim destabilizimin e Afganistanit dhe të Ballkanit. Lufta për Sirinë është luftë edhe për Ballkanin.”

Ai shtoi:

“Formimi i Unionit Euroaziatik është prioritet, sepse ai do të zgjerohet edhe në Ballkan. Sot, Ballkani për ne është si Siria. Nëse fitojmë në Siri, kalojmë në Ballkan. Gjithçka po shkon sipas planit.”

Gjatë vizitës së sotme, Panarin i dhuroi Stevandiqit librin e tij “Jalta 2 dhe fundi i perandorisë së parazitëve”, një vepër që si shumica e librave të tij botohet në Serbi.

Në përfundim të takimit, Stevandiq theksoi se:

“Luftërat sot nuk zhvillohen vetëm me armë të ftohta apo të zjarrta, por edhe në shumë fusha të tjera.”

Panarin njihet si një prej ideologëve më të njohur të linjës së ashpër pro-Kremlinit dhe vizita e tij në Banja Llukë shihet si pjesë e rritjes së ndikimit rus në rajon.

Kategoritë
LajmeRajoni