​Kusari-Lila: Gjashtë deputetët e LDK-së e kanë problemin me Kurtin, jo me kandidatin për president

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se kundërshtimi i gjashtë deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës ndaj kandidaturës së Bekim Sejdiut për president të Kosovës nuk lidhet me figurën e tij, por me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje.

Në emisionin “Intervista e Javës” në KosovaPress, Kusari-Lila tha se Avdullah Hoti, Kujtim Shala, Hykmete Bajrami, Janina Ymeri, Armend Zemaj dhe Arben Gashi do të kundërshtonin marrëveshjen me LVV-në edhe nëse kandidat për president do të ishte një figurë tjetër konsensuale.“Reagimet e këtyre gjashtë deputetëve, për mosmbështetje të zotit Bekim Sejdiut, nuk lidheshin fare me emrin e Bekim Sejdiut. Profesori Bekim Sejdiu, nuk u diskutua si person i joadekuat nga ana e tyre për t’u mbështetur për president… Të tjerët problemin e kanë pasur me Albin Kurtin. Do të thotë me kryeministrin Kurti. Dhe në atë situatë, unë këtu e shoh esencën e problemit. Kushdo që do të ishte kandidat tjetër, në vend të zotit Bekim Sejdiu, ata qasjen e njëjtë e kanë, pasi nuk po deklarohen se problemin e kanë me kandidatin, por problemin po e tregojnë që e kanë me kryeministrin Kurti. E kryeministri Kurti nuk është rastësisht në pozitën ku është. Nuk është një vendim i gjashtë deputetëve ose sado që mund të jenë të tjerë që e rrëzon kryeministrin Kurti. Ata po e shohin me vetëdije që zgjedhje pas zgjedhje, kryeministri Kurti, Lëvizja Vetëvendosje me partnerë po i fiton zgjedhjet. Dhe në situatën kur po ndodh një rrethanë e tillë ku deklarohet se inati është me të, mbështetja në popull po rritet”, tha ajo.

Duke folur për marrëveshjen politike dhe raportet me LDK-në, ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë tha se marrëveshja ekzistuese për emrin e Bekim Sejdiut për president është valide, ndërsa shprehu dëshirën që edhe gjashtë deputetët e LDK-së ta mbështesin atë.

Ajo përmendi edhe raste të mëhershme kur deputetë të LDK-së, kanë mbështetur kandidatë për presidentë që nuk kanë qenë pjesë e subjektit të tyre politik.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi