Kurti:Ky është draft krejt tjetër pakrahasimisht më i avancuar por kjo s’do të thotë se ne jemi të kënaqur

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur edhe njëherë për çështjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai ka thënë se tashmë i ka dërguar vërejte për draftin e Asociacionit të prezantuar nga euro-amerikanët, më 21 tetor.

Më tutje Kurti u shpreh se drafti i modernizuar për Asociacionin, është më i avancuar se marrëveshja e vitit 2013.

“Për hir të konfidencialitetit të draftit, unë nuk mund të flas për vërejtjen dhe kritikat e mija. Ato janë shumë të rëndësishme, ia kam përcjellur emisarit evropian përmes zëvendëskryeministrit, Besnik Bislimi, më 24 tetor, dy ditë para se të takohemi në Bruksel. Ky është draft krejt tjetër pakrahasimisht më i avancuar por kjo s’do të thotë se ne jemi të kënaqur, andaj unë kam dërguar vërejtjen”, theksoi ai.

Kurti u pyet edhe për pakënaqësitë e dy njësiteve të specializuara të Policisë së Kosovës, të cilët sot kishin paraparë sërish një protestë, por që e cila u pezullua.

“Ne jemi të interesuar të zvogëlojmë rrezikshmërinë për policinë tonë, por kjo zvogëlohet pikërisht duke investuar në pajisje dhe mjete pune. Dallimi në investime sa i përket mjeteve të punës dhe pajisjeve që ulin rrezikshmërinë për policinë tonë sivjet është 21 herë më i lartë sesa para dy vjetëve. Në vitin 2021 investimi ka qenë më pak se gjysmë milioni euro sivjet është mbi 9 milionë euro. Rrjedhimisht ne po investojmë shumë për zvogëlimin e rrezikshmërisë për policinë tonë. Patjetër se unë do t’i takojë dhe kontaktojë për të shohur se çka më tutje. Por të keni parasysh se të njëjtën kohë unë e kam dhënë qëndrimin se ka shtesa jashtë orarit, shtesa për rrezikshmëri dhe se do të ketë investime të vazhdueshme për policinë tonë”, theksoi Kurti.

Lajçak sot zhvilloi takim me liderët e opozitës, mirë pas takimit nuk dha ndonjë deklaratë për media.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi