Kurti takohet me të rinjtë në kuadër të Procesit të Berlinit

Për herë të parë në Prishtinë mbahet Forumi Rinor në Prishtinë, e ku edhe u pritën nga kryeministri në detyrë Albin Kurti. Në takim me të rinjtë nga Kosova, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia, Kurti rikujtoi procesin e Berlinit dhe marrëveshjet rajonale të nënshkruara në tri vitet e fundit.

“Në kuadër të Procesit të Berlinit mbahet çdo vit edhe Forumi Rinor, që kësaj radhe për here të pare po mbahet në Prishtinë. Me këtë rast, kryeministri shprehu kënaqësinë që forumi po zhvillohet në Kosovë, duke e cilësuar si vendi i duhur për të rinjtë që të takohen, të zhvillojnë diskutime për të kaluarën dhe të punojnë së bashku për një të ardhme më të mirë. Ai rikujtoi progresin në kuadër të Procesit të Berlinit dhe pesë marrëveshjet rajonale të nënshkruara në tri vitet e fundit që lehtësojnë lëvishmërinë, veçanërisht për studentët dhe punëtorët, duke veçuar “Marrëveshjen për Arsimin e Lartë” dhe “Njohjen e Profesioneve”. Ai shprehu kënaqësinë që të rinjtë nga Bosnja dhe Hercegovina nuk kanë pasur nevojë për vizë për të ardhur në Kosovë dhe theksoi se pengesa për të rinjtë e Kosovës që të udhëtojnë pa viza në Bosnje dhe Hercegovinë duhet të hiqet”, citohet të ketë thënë Kurti.

Sipas komunikatës për media nga zyra e kryeministrisë theksohet përkushtimi i Qeverisë për të krijuar mundësi për të rinjtë përmes arsimit publik falas, bursave dhe arsimit dual, si dhe rëndësinë e demokracisë, lirisë së medias dhe debatit të hapur.

“Me mendje të hapur dhe gatishmëri për të dëgjuar, mund t’i përballoni edhe debatet më të vështira dhe prapë të gjeni pika të përbashkëta” , citohet të ketë thënë Kurti.

Kategoritë
LajmeVendi