Kurti s’i mjafton të dalë i pari, kërkon që të fitojë ‘‘më shumë se bindshëm’’: Zgjedhjet lokale do të ndikojnë në ato parlamentare

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, gjatë hapjes së fushatës për balotazhin e 9 nëntorit, ka deklaruar se sipas tij po bëhen përpjekje për të ia ndalur Kosovës ‘’ngritjen e rritjen’’.

I njëjti ka thënë se e vetmja mënyrë për ta që ta çojnë përpara agjendën e tyre është që VV-ja të fitojë ‘’më shumë se bindshëm’’, shkruan Gazeta Express.

‘’Ju po e shihni se sa përpjekje po bëhen për të ia ndalur Kosovës ngritjen e rritjen. U pa se si VV nuk mjafton të fitosh për pak e as vetëm të dalësh i pari, duhet të fitosh edhe më shumë se bindshëm, sepse kjo është e vetmja mënyrë që ta çojmë përpara agjendën tonë zhvillimore, progresiste e shoqërore, shtetërore, e kombëtare’’, ka deklaruar ai.

Tutje, Kurti i bëri thirrje edhe mërgatës që të votojnë, ndërsa atyre që s’janë të regjistruar për të votuar me postë, u kërkoi që të vijnë e të votojnë fizikisht.

‘’Në emër të gjithë juve i bëj thirrje sërish bashkatdhetarëve tanë, mërgatës sonë të dashur që të votojnë me postë deri me 8 nëntor ata që janë regjistruar. E ata që nuk janë të regjistruar po të kenë pak mundësi, sado pak mundësi të vijnë e të votojnë fizikisht. Çdo votë është vlefshme, cilado votë mund ta bëjë dallimin’’, shtoi Kurti.

Më tej, kryeministri në detyrë, u deklarua edhe për zgjedhjet parlamentare, drejt të cilave tha ai se vendi po shkon, dhe se zgjedhjet lokale janë ato që do të ndikojnë edhe në ‘’fatin’’ e zgjedhje të përgjithshme.

‘’Duket se po shkojmë edhe drejt zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por këto zgjedhje lokale janë ndikuese edhe për fatin e zgjedhjeve të përgjithshme, kështu që mos e lini për pak, dilni e mbështesni kandidatët tanë sepse kjo na jep energji që të fitojmë edhe më shumë edhe më fortë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare’’, tha Kurti.

Kategoritë
LajmeVendi