Kurti: Qeveria nuk do të bisedojë dhe bashkëpunojë me kriminelët në veri, por do t’i arrestojë ata

Kurti: Qeveria nuk do të bisedojë dhe bashkëpunojë me kriminelët në veri, por do t’i arrestojë ata

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se në përputhje me vlerësimet e sigurisë i është dhënë koha dhe hapësira KFOR-it për të vepruar por shtoi se “kjo kohë po shteron me shpejtësi”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se vendosja e barrikadave në rrugë në veri të Kosovës është veprim i paligjshëm, i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet.

Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se Qeveria nuk do të bisedojë dhe as nuk do të bashkëpunojë me kriminelët në veri të vendit, por do t’i arrestojë ata.

Kurti, duke folur për sfidat dhe të arriturat e vitit 2022, tha se në Kosovë janë kryer 850 operacione kundër krimit të organizuar dhe kontrabandës ndërsa këto operacione prishën edhe rehatinë e kriminelëve, sidomos në veri të vendit, për të cilët mungesa e sundimit të ligjit ishte liri.

“Fatkeqësisht këta kriminelë të sanksionuar edhe nga SHBA-ja dhe nga Britania e Madhe po mbështeten nga Presidenti dhe Qeveria e Serbisë me qëllim destabilizimin e rajonit përveç se cenimin e integritetit territorial të republikës sonë. Institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë e bashkëpunojnë me kriminelë por do t’i arrestojnë ata”, deklaroi Kurti.

Ai tha se sa i përket situatës në veri të vendit, veprimeve dhe vendimeve të ligjshme të Kosovës i janë kundërvënë kriminelët duke sfiduar organet e zbatimit të ligjit por edhe duke cenuar sigurinë e vendit.

Kurti shtoi se në përputhje me vlerësimet e sigurisë i është dhënë koha dhe hapësira KFOR-it për të vepruar por shtoi se “kjo kohë po shteron me shpejtësi”.

“Ne kemi bashkëpunim e bashkërendim me KFOR-in, prandaj edhe kjo kohë e hapësirë e nevojshme që i është dhënë KFOR-it, i është dhënë KFOR-it, dhe, në këtë rast një gjë duhet të kuptohet, se nuk mund të qëndrojë edhe parimi i lëvizjes së lirë edhe barrikadat në rrugë që e pengojnë lëvizjen e lirë”, tha Kurti.

Ai tha se gjatë vitit 2022 janë arrestuar 3.051 persona prej të cilëve 288 zyrtarë publikë ndërsa janë shkatërruar 69 grupe kriminale dhe janë konfiskuar mbi 1.9 tonë substancë narkotike, në kuadër të luftimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kryeministri kosovar e konsideron vitin 2022 si vit të arritjes, zhvillimit dhe përmirësimit, por edhe të sfidave.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi
Reklamë: ABE Kosova