Kurti nga qetësia e ishullit grek gjen kohë për kritika ndaj rivalëve dhe për të numëruar “suksese” të qeverisë së tij

Me xhinse e atlete, në një audiencë të vogël në ishullin Skiathos të Greqisë, kryeministri në detyrë Albin Kurti as këtë vit s’e lëshoi rastin për të marrë pjesë në takimin vjetor të Simpoziumit Sumy. Duke e ditur skenarin saktë se çfarë do të ndodhë në seancën konstituive të kryesuar nga bashkëpartiaku i tij, Kurti s’e pa të arsyeshme të marrë pjesë në dështimin e 48-të të Kuvendit të Kosovës.

Pa asnjë njoftim, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, shkoi në Greqi në simpoziumin e tij favorit të përvitshëm që mbahet në Greqi e që shërben si një platformë për shprehje mendimesh e ku marrin pjesë figura të interesuara nga politika, biznesi, akademia, shoqëria civile dhe kultura.

Fotografitë e tij u nxorën dje nga pjesëmarrës tjerë që shfaqnin Kurtin të relaksuar në një ambient veror në ishullin grek derisa po dëgjonte mendimet mbi temën kryesore të këtij viti “Paradoksi i Pandorës: Zbulimi i Shpresës në një Botë të Turbullt. Kultivimi i Paqes, Demokracisë dhe Shoqërive Rezistente”.

Kurti nga Greqia s’udhëtoi sot për në Kosovë për të marrë pjesë në seancën konstituive e cila ka ngecur për të 48-ën herë për shkak të këmbënguljes së tij dhe partisë së tij që Albulena Haxhiu të bëhet kryeparlamentare përmes një votimi të fshehtë.

Mungesën e tij e vuri në pah deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, që emrin kryetarit të Vetëvendosjes po e përdor për t’u tallur në pak sekondat që po i lejohen në foltore për të propozuar një emër për komisionin e fshehtë që po e kërkon kryesuesi i seancës, Avni Dehari, në çdo vazhdim të seancës.

“AAK e ka kandidatin, por paska shku në pushime në Greqi”, tha Kadrijaj me ironi.

Nuk njoftoi për vizitën e tij në asnjërin profil të tij në rrjete sociale, megjithatë Kurti dha përshtypjen se po merret nga atje me situatën në vend.

Ai publikoi në Facebook dhe X një rikthimin e anëtarësimit të Kosovës në Regjistrin Europian për Cilësi të Arsimit të Lartë (EQAR) si “sukses i madh dhe i rëndësishëm” që e interpretoi si “dëshmi e punës dhe angazhimit për të rritur cilësinë e arsimit të lartë e përafruar atë me standardet europiane”.

Në këto postime, Kurti s’i la kritikat për qeveritë e kaluara, ndërsa për të tijën, që i ka përfunduar mandati, i vazhdoi lëvdatat.

“Vendi ynë ka qenë edhe më herët anëtar i këtij organizmi, por në vitin 2018 e patëm humbur anëtarësinë për shkak të ndërhyrjeve politike të qeverisë së atëhershme të PAN-it në strukturën e Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA). Qeveria jonë, përmes ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, që në vitin 2021 filloi punën për ta mbështetur AKA-në, duke ia mundësuar kushtet e përshtatshme për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe autonome, me profesionalizëm dhe përkushtim”.

Në X, Kurti e bëri një postim edhe për një ngjarje që suksesin ia atribuoi qeverisë së tij.

“Jam shumë i kënaqur që Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka hequr Kosovën nga lista e vendeve të brishta dhe të prirura ndaj konfliktit. Kjo vjen pas të njëjtit vendim nga Banka Botërore. Kjo njohje është rezultat i punës së vazhdueshme dhe të përkushtuar që qeveria jonë ka bërë gjatë katër viteve të fundit — dhe është vetëm një hap drejt arritjeve që do të vijnë”.

Në këtë simpozium nga Shqipëria shkoi një ministër, ai i i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, ndërsa s’u panë liderë tjerë të nivelit më të lartë.

Kategoritë
LajmeVendi