Kurti: Kthimi i ish-prokurorëve dhe ish-gjyqtarëve serbë duhet të bëhet vetëm sipas Kushtetutës dhe ligjit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar se kthimi i ish-prokurorëve dhe ish-gjyqtarëve serbë, të cilët dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës në fund të vitit 2022, nuk mund të bëhet jashtë kornizës kushtetuese dhe ligjore, raporton Ekonomia Online.

Në mbledhjen e Qeverisë, Kurti tha se braktisja e institucioneve nga pjesëtarët e komunitetit serb ishte një veprim i organizuar politikisht dhe një akt sabotues ndaj shtetit.

“Braktisja e organizuar dhe politikisht e motivuar e institucioneve të Republikës së Kosovës nga pjesëtarë të komunitetit serb në fund të vitit 2022 ishte pikënisje e një serie veprimesh sabotuese ndaj shtetit. Qysh atëherë, e kemi thënë dhe u kemi bërë thirrje të gjithë serbëve në institucione: ‘Mos i braktisni ato, mos jepni dorëheqje, mos shkoni!’. Por nuk u kemi thënë, e as nuk kemi të drejtë t’u themi: ‘Kthehuni!’. Kishim të drejtë politike t’u themi mos shkoni, por nuk kemi të drejtë kushtetuese e ligjore t’u themi kthehuni. Largimi i tyre ka qenë akt politik, individual, ndonëse i organizuar, por kthimi është çështje ligjore dhe kushtetuese”, tha Kurti.

Ai theksoi se rikthimi në institucione nuk mund të mbivendoset mbi Kushtetutën dhe ligjin, duke shtuar se institucionet kompetente tashmë kanë trajtuar dorëheqjet e tyre.

“Nuk mund të ketë kthim që i mbivendoset kushtetutshmërisë e ligjit, veçmas kur braktisja ishte një akt sabotimi i ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë. Në këtë linjë, gjithnjë sipas kushtetutshmërisë e ligjshmërisë, këto dorëheqje i ka trajtuar kohë më parë Policia e Kosovës, dhe ditë më parë edhe Këshilli Prokurorial. Ndërkaq sot, teksa prisnim që edhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës të vepronte njësoj, kuptuam që mbledhja dështoi në mungesë kuorumi. Presim që në mbledhjen e radhës të marrë epilog të tillë edhe kjo çështje”, deklaroi Kurti.

 

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi