Kryetari i Vetëvendosjes dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, sot pasi u votua nga partia e tij si mandatar i Qeverisë, ka folur edhe për akuzat që ia bëri presidenti serb Aleksander Vuçiq kinse për organizim të protestave kundër tij në Serbi.
Kurti tha në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm se Vuçiqit protestat po ia organizon populli, populli i Serbisë dhe jo Kryeministri i Kosovës, shkruan Reporteri.net.
“Së fundmi, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, na kishte akuzuar neve, më kishte akuzuar mua, se unë po ia organizoj e urdhëroj protestat atje, se ato po bëhen nga ne. Kjo nuk është çudi. Kështu ndodh me të gjithë ata diktatorë që janë të shkëputur nga populli i tyre të cilin e shtypin e shfrytëzojnë dhe nuk i besojnë atij. E në rrethana kur nuk i beson popullit tënd gjithçka duket se po të vjen disi prej jashtë. Aleksandar Vuçiqit protestat po ia organizon populli, populli i Serbisë dhe jo Kryeministri i Kosovës”.
“Krejt çfarë mund të kemi ndihmuar për këto vite është veç shpërfaqja e fytyrës së tij të vërtetë nga perspektiva e shtetit dhe e popullit të Kosovës dhe ndërhyrjet që ai ka dashur t’i bëjë te ne e ne ia kemi ndaluar. Ia kemi ndaluar sepse parasëgjithash ia kemi ndalur. Atij i humbi fillimisht fuqia destabilizuese përmes bandave kriminale e strukturave ilegale në Kosovë, ndërkohë që tash populli i vet atje po ia humb fuqinë edhe brenda shtetit të Serbisë. Kjo dhe kaq është e vërteta”, deklaroi Kurti.
Kujtojmë se protestat në Serbi kanë nisur pas shembjes së një tende në stacionin e trenit në Novi Sad në nëntor të vitit 2024, ku humbën jetën 16 persona. Ato fillimisht ishin paqësore, por ditëve të fundit janë shoqëruar me përshkallëzim dhune në Beograd dhe qytete të tjera të Serbisë. /Reporteri.net/.