Kryetari i Bashkisë së Lubjanës, Zoran Janković, konsideron se nuk duhet ndërhyrë në vendimet e pushtetit shtetëror, por njëkohësisht thekson se liderit të SNSD-së, Milorad Dodik, nuk do t’ia ndalonte hyrjen në Slloveni.
Qeveria e Republikës Srpska mori vendim për t’ua ndaluar hyrjen në këtë entitet presidenteve të Sllovenisë Nataša Pirc Musar dhe zëvendëskryeministres, njëherazi ministre e Punëve të Jashtme dhe Evropiane të vendit, Tanja Fajon, si reagim ndaj vendosjes së sanksioneve sllovene kundër Dodikut.
Megjithatë, kjo kompetencë nuk i takon qeverisë së RS-së, por Policisë Kufitare të Bosnjës e Hercegovinës, Shërbimit për Çështje të të Huajve, Ministrisë së Sigurisë së BiH dhe Presidencës së BiH.
Janković njoftoi se në takimin e ardhshëm me Dodikun do t’i kërkojë atij që të heqë ndalimin e hyrjes në Republikën Srpska për Pirc Musar dhe Fajon.
Kreu i SNSD-së kishte paralajmëruar këtë ndalim pas vendimit unanim të qeverisë së Sllovenisë për t’ia ndaluar hyrjen në vend.
“Ajo që bëhet si kundërmasë çon drejt diçkaje që mua nuk më pëlqen. Në vend të bashkëpunimit, çon drejt ndarjes. Ku na çon kjo?”, pyeti Janković, duke kujtuar ende luftën në Ballkan.
Ai tha se vetë nuk do t’ia ndalonte hyrjen Dodikut në Slloveni.
“Kjo nuk më pëlqen, nuk do ta bëja. Por, nuk ndërhyj në vendimin e pushtetit,” shtoi ai për Dnevnik.si.
Janković tregoi se të shtunën e kaluar ishte takuar me ministren e jashtme të Sllovenisë, Tanja Fajon, të cilës i kishte thënë se nuk pajtohej me sanksionin ndaj Dodikut. Ai gjithashtu e kishte pyetur nëse kishin kontrolluar se sa kompani operojnë në Bosnjë e Hercegovinë dhe nëse hasin në probleme.
Ndër arsyet kryesore për vendosjen e sanksioneve në Slloveni, përveç veprimeve hapur separatiste të Dodikut dhe mosrespektimit të vendimeve të institucioneve të Bosnjës e Hercegovinës, përfshihet edhe dyshimi se Dodik dhe anëtarë të familjes së tij zotërojnë pasuri të konsiderueshme në Slloveni të fituar me kapital me origjinë të dyshimtë.