Kryeministri spanjoll thirrje që Izraeli të përjashtohet nga Eurovizioni dhe garat ndërkombëtare

“Nuk mund të lejojmë standarde të dyfishta, as në kulturë”, tha Pedro Sanchez, duke kujtuar faktin se si Rusia u përjashtua pas luftës në Ukrainë

Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez bëri thirrje për përjashtimin e Izraelit nga Eurovizioni dhe garat ndërkombëtare, duke bërë një paralele me përgjigjen ndaj luftës së Rusisë kundër Ukrainës dhe duke theksuar nevojën për qëndrueshmëri në mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe të drejtës ndërkombëtare, transmeton Anadolu.

“Angazhimi i Spanjës ndaj të drejtës ndërkombëtare dhe të drejtave të njeriut duhet të jetë i vazhdueshëm dhe duhet të jetë gjithashtu i qëndrueshëm në Evropë”, tha Sanchez gjatë prezantimit të një raporti mbi sektorët kulturorë dhe krijues të Spanjës.

Duke kujtuar se si Rusia u përjashtua shpejt nga platformat globale si garat sportive dhe muzikore, Sanchez sugjeroi që i njëjti standard duhet të zbatohet edhe për Izraelin, veçanërisht për shkak të luftës së saj në Gaza.

“Kjo është arsyeja pse besoj se askush nuk u trondit kur pushtimi i Ukrainës nga Rusia filloi tre vjet më parë dhe u kërkua që ajo të hiqej nga … garat ndërkombëtare dhe gjithashtu të mos merrte pjesë, për shembull, e kemi parë së fundmi fundjavën e kaluar, në Eurovizion”, tha ai.

“Prandaj, as Izraeli nuk duhet, sepse ajo që nuk mund të lejojmë janë standardet e dyfishta, as në kulturë”, shtoi ai.

Sanchez përfundoi me një mesazh solidariteti për popullin e Palestinës që po “përjeton padrejtësinë e luftës dhe bombardimeve”.

Kategoritë
BotaLajme