Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka deklaruar se reagimi i Europës dhe Perëndimit ndaj luftës në Gaza përbën një nga episodet më të errëta të marrëdhënieve ndërkombëtare në shekullin XXI, duke e quajtur “dështim absolut” krahasuar me qëndrimin e tyre për Ukrainën.
Në një intervistë për The Guardian para takimit me kryeministrin britanik Keir Starmer, Sánchez tha se standardet e dyfishta mes dy konflikteve po dëmtojnë besueshmërinë globale të BE-së.
“Nuk është e pranueshme. Nuk mund të flasim për kredibilitet në Ukrainë, ndërsa mbyllim sytë për Gazën”, u shpreh ai.
Spanja ka qenë ndër vendet e para europiane që akuzoi Izraelin për “gjenocid” dhe ka kërkuar pezullimin e partneritetit strategjik mes BE-së dhe Tel Avivit. Sánchez shtoi se vendi i tij do të vazhdojë të kërkojë masa financiare ndëshkuese ndaj Izraelit.
Duke folur edhe për marrëdhëniet me SHBA, ai kritikoi politikat e presidentit Donald Trump, duke thënë se tërheqja nga marrëveshja e Parisit dhe dobësimi i institucioneve ndërkombëtare dëmton jo vetëm SHBA-të, por edhe rendin global. Sipas tij, kjo krijon një hapësirë që mund të shfrytëzohet nga fuqitë aziatike.
Sánchez mbrojti gjithashtu përfitimet e migracionit dhe paralajmëroi se partitë tradicionale të djathta po dëmtojnë luftën ndaj krizës klimatike duke ndjekur narrativën e ekstremit të djathtë.
“Është gabimi më i madh që po bëjnë”, tha ai.
Takimi i sotëm në Londër shënon samitin e parë dypalësh të nivelit të lartë mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Spanjës pas më shumë se një dekade, i mundësuar nga marrëveshja për statusin e Gjibraltarit pas Brexit.