“Kushdo që vendos të sulmojë Poloninë në çfarëdo mënyre do të trajtohet në mënyrë adekuate, siç ndodhi natën e 10 shtatorit”, tha Tusk
Kryeministri polak Donald Tusk paralajmëroi të enjten se ata do të reagojnë “në mënyrë adekuate” ndaj çdo sulmi të ardhshëm pas inkursioneve me dronë në Poloni, transmeton Anadolu.
“Kushdo që vendos të sulmojë Poloninë në çfarëdo mënyre do të trajtohet në mënyrë adekuate, siç ndodhi natën e 10 shtatorit”, tha Tusk pas një takimi të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, sipas transmetuesit TVP World.
Ai theksoi se Rusia mban përgjegjësi për këto incidente në hapësirën ajrore polake.
“Ne po identifikojmë më saktë ata që, qoftë për arsye politike, marrëzi apo tradhti, i shërbejnë propagandës dhe dezinformimit rus”, theksoi Tusk.
Polonia tha të mërkurën se hapësira e saj ajrore u shkel nga dronë gjatë sulmeve ajrore të natës midis Rusisë dhe Ukrainës, duke e përcaktuar inkursionin si “akt agresioni”.
Tusk i përcaktoi dronët si “rusë”, me autoritetet që fillimisht regjistruan 19 shkelje të hapësirës ajrore.
Ministria ruse e Mbrojtjes mohoi çdo qëllim për të goditur objektiva në territorin polak gjatë sulmeve, të cilat pretendoi se kishin në shënjestër ndërmarrjet e kompleksit ushtarako-industrial të Kievit në Ukrainën perëndimore.
Ajo shprehu gatishmërinë e Moskës për të diskutuar lidhur me incidentin me zyrtarët nga Varshava.