Kryeministri izraelit Netanyahu: Do të pushtojmë të gjithë Rripin e Gazës

“Ne do ta pushtojmë të gjithë Rripin e Gazës. Do të sjellim ndihma sepse po i afrohemi vijës së kuqe”, tha kryeministri izraerlit, Netanyahu

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se do të pushtojë të gjithë Rripin e Gazës pas vendimit të marrë në një mbledhje të kabinetit mbrëmë për të lejuar kalimin e “sasive bazë të ushqimit për të parandaluar urinë” në Gaza, transmeton Anadolu.

Në një video të postuar nga llogaria e tij në median sociale, Netanyahu iu përgjigj ministrave që kritikuan rrjedhën e ndihmës humanitare në Gaza dhe pranoi se ndodheshin nën presion për të lejuar kalimin e ndihmës.

Ai për herë të parë tha se do të pushtojnë të gjithë Rripin e Gazës. “Ne do ta pushtojmë të gjithë Rripin e Gazës. Do të sjellim ndihma sepse po i afrohemi vijës së kuqe”, tha Netanyahu.

Duke pranuar se shkaktuan katastrofë të madhe me vendimin për të bllokuar hyrjen e ndihmës humanitare në Gaza, Netanyahu tha se ata nuk do të merrnin asnjë mbështetje në këtë pikë. “Nuk duhet të arrijmë në pikën e vdekjes nga uria”, shtoi kryeministri izraelit.

Netanyahu mbron idenë e tij se ndihmat kanë mbërritur te Hamasi dhe se ata e kishin ndaluar rrjedhën e ndihmave për këtë arsye. Netanyahu theksoi se me SHBA-në kanë vendosur të krijojnë mekanizëm të ndryshëm, ku ushtria izraelite do të ofrojë sigurinë e ndihmave në pikat e shpërndarjes që do të krijohen dhe se kompanitë amerikane do të sigurojnë shpërndarjen e saj.

Netanyahu shtoi se po punojnë për të krijuar këto pika, por meqenëse do të duhet kohë për t’i vendosur ato, ndihmat do të shpërndahen në mënyrën e vjetër deri më 24 maj dhe se ushtria izraelite do të “marrë kontrollin” e pikave ku shpërndahet ndihma.

Ai deklaroi se ata janë përballur me presion ndërkombëtar për çështjen e dërgimit të ndihmës humanitare në Gaza.

“Po i afrohemi vijës së kuqe, humbjes së kontrollit dhe pastaj gjithçka do të shembet. Miqtë tanë, senatorë që janë mbështetës të zjarrtë të Izraelit, erdhën tek unë dhe thanë se do të na jepnin të gjithë ndihmën që mundnin për të arritur fitoren. ‘Armë, mbështetje për eliminimin e Hamasit, mbrojtje në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Ka një gjë që nuk mund ta durojmë dhe kjo është pamja e urisë masive. Nuk mund t’ju mbështesim kështu thanë ata'”, deklaroi Netanyahu.

Kryeministri izraelit potencoi se do të lejojnë që sasitë bazë të ushqimit dhe ilaçeve të hyjnë në Rripin e Gazës derisa mekanizmi i ri të vendoset në zbatim.

Kategoritë
BotaLajme