Kryeministri i Irakut, Muhammed Shia al-Sudani, të dielën bëri thirrje për themelimin e një aleance ushtarake islame, duke thënë se veprimet e fundit të Izraelit në Gaza dhe Katar kërkojnë një përgjigje kolektive. Sudani tha se sulmi ajror i së martës në Doha, ku u vranë pesë anëtarë të Hamasit dhe një oficer i sigurisë nga Katari, ishte një “shkelje tronditëse e së drejtës ndërkombëtare” dhe një kujtesë se veprimet izraelite rrezikojnë sigurinë e të gjithë rajonit.
“Nuk ka arsye pse kombet myslimane të mos formojnë forca të përbashkëta sigurie për t’u mbrojtur,” tha ai për kanalin Al Jazeera të Katarit, duke u bërë thirrje vendeve arabe dhe islame të ndërtojnë një partneritet gjithëpërfshirës politik, të sigurisë dhe ekonomik.
Sot në Doha mbahet një takim i liderëve arabë dhe islamë, ku do të diskutohet për pasojat e sulmit izraelit mbi Katarin.
Pritet që në këtë samit të aktivizohet edhe forca e përbashkët ushtarake arabe, një nismë që Egjipti e kishte propozuar për herë të parë gati dhjetë vite më parë.
Kryeministri irakian theksoi se bota islame ka “shumë leva” që mund të përdoren për të penguar Izraelin, duke paralajmëruar se “agresioni izraelit nuk do të ndalet te Katari”. Ai theksoi atë që e përshkroi si vrasje sistematike në Gaza për gati dy vjet.
Sulmi izraelit ndodhi në një kompleks banimi, ndërsa udhëheqësit e Hamasit po diskutonin mbi propozimin amerikan për t’i dhënë fund luftës në Gaza, ku që nga tetori 2023 janë vrarë mbi 64.800 palestinezë.
Katari e dënoi sulmin si një “akt frikacak” dhe shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare, duke paralajmëruar se nuk do ta tolerojë “sjelljen e pamatur” të Izraelit.
Shteti i Gjirit, së bashku me SHBA-në dhe Egjiptin, luan një rol qendror në përpjekjet për ndërmjetësim për përfundimin e luftës izraelite në Gaza.
Të enjten, anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dënuan sulmin ndaj Katarit dhe u bënë thirrje të gjitha palëve të “shfrytëzojnë mundësinë për paqe”, pa e përmendur Izraelin.