“Ministrat e Jashtëm do të diskutojnë për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë. Shpresoj se sot mund të biem dakord për heqjen e sanksioneve ekonomike”, tha Kaja Kallas
Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas tha se shpreson që Takimi i Ministrave të Jashtëm që ajo do të kryesojë do të nxjerrë vendime të reja për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë, përndryshe do të haset një situatë e ngjashme me atë në Afganistan, transmeton Anadolu.
“Ministrat e Jashtëm do të diskutojnë për heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë. Shpresoj se sot mund të biem dakord për heqjen e sanksioneve ekonomike”, tha Kallas.
Ajo theksoi se vendet e BE-së kanë qenë të angazhuara në diskutime intensive mbi këtë çështje para takimit. “Ka shqetësime nëse qeveria (në Damask) po shkon apo jo në drejtimin e duhur, por mendoj se nuk kemi alternativë tjetër. Ose do t’u japim atyre mundësinë për të stabilizuar vendin ose nuk do ta bëjmë këtë dhe do të kemi diçka të ngjashme me atë që ndodhi në Afganistan”, tha Kallas.
Zyrtarja e lartë evropiane deklaroi se vendimi i SHBA-së për të hequr sanksionet kundër Sirisë ishte hap pozitiv dhe shtoi se BE-ja ishte një pioniere në këtë drejtim.
– Sanksionet e BE-së kundër Sirisë
Sanksionet e BE-së kundër Sirisë filluan në maj të vitit 2011, pas shpërthimit të luftës civile.
Masa kufizuese individuale, të tilla si ndalime udhëtimi dhe ngrirje të aseteve, u morën kundër atyre që ishin të lidhur me regjimin dhe u mbajtën përgjegjës për shkeljet e të drejtave të njeriut. Në listë u përfshinë emra kritikë në rrethin e ngushtë të regjimit nga Bashar al-Assadi deri te ministrat.
Krahas kësaj, BE-ja ka vendosur sanksione sektoriale ndaj Sirisë, duke synuar sektorët që ndodhen në zemër të rrjetit financiar të regjimit. Në këtë kuadër, u kufizua importi i naftës bruto dhe produkteve të naftës, eksporti i mallrave që mund të përdoren si për qëllime ushtarake ashtu edhe për ato civile si dhe disa pajisje komunikimi. Sanksionet mbulonin gjithashtu financimin e disa iniciativave dhe projekteve të infrastrukturës.
Ndërsa më 24 shkurt, BE-ja njoftoi se kishte vendosur të “pezullonte” sanksionet ndaj Sirisë që synonin sektorë të tillë si bankat, energjia dhe transporti.
Zyrtarët e BE-së theksojnë se vendimet në lidhje me heqjen e sanksioneve janë “të kthyeshme” dhe se situata në vend po monitorohet nga afër.