Kryediplomatja e BE-së, Kallas: Përmirësimi i marrëdhënieve Turqi-Greqi është lajm i mirë

“Përmirësimi i marrëdhënieve Greqi-Turqi është zhvillim i mirë. Demarkacioni paqësor i juridiksioneve detare dhe respektimi i ligjit ndërkombëtar janë gjithashtu të nevojshëm”, tha Kallas

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian (BE) për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, Kaja Kallas tha se përmirësimi i marrëdhënieve dypalëshe midis Turqisë dhe Greqisë është lajm i mirë, transmeton Anadolu.

Gjatë vizitës së saj zyrtare sot në Athinë, Kallas u takua me kryeministrin grek Kyriakos Mitsotakis dhe më pas me ministrin e Jashtëm grek Giorgos Gerapetritis.

Gerapetritis dhe Kallas bënë deklaratë për mediat pas takimit dypalësh.

Kallas tha se gjatë takimit të saj me Gerapetritis diskutuan mbi marrëdhëniet midis Greqisë dhe Turqisë. “Përmirësimi i marrëdhënieve të Greqisë me Turqinë është zhvillim i mirë. Demarkacioni paqësor i juridiksioneve detare dhe respektimi i ligjit ndërkombëtar janë gjithashtu të nevojshëm”, deklaroi Kallas.

Ajo vuri në dukje se zhvillimet në Lindjen e Mesme ishin gjithashtu në axhendën e takimit ndërsa theksoi se BE-ja është pro zgjidhjes me dy shtete në Palestinë.

“Për të arritur këtë ka nevojë për një administratë palestineze e aftë për të ofruar shërbime”, shtoi Kallas.

Ndërsa Gerapetritis potencoi rëndësinë e autonomisë strategjike të BE-së dhe theksoi nevojën për një BE të fortë të çliruar nga varësia e jashtme.

Ministri grek nënvizoi rëndësinë jetike që Evropa të ketë një politikë të jashtme dhe forcë mbrojtëse të përbashkët.

Kategoritë
BotaLajme