Kryediplomati serb, Marko Gjuriq, tha se e sheh këtë moment si një nga më të rëndësishmit në historinë 145-vjeçare të marrëdhënieve mes Serbisë dhe SHBA-së
Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Marko Gjuriq, deklaroi se në Washington “po shkruhet historia e marrëdhënieve serbo-amerikane”, me rastin e fillimit të dialogut strategjik mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Serbisë, raporton Anadolu.
Gjuriq vlerësoi se nisja e dialogut përfaqëson më shumë se një hap formal, duke e cilësuar atë si një përparim thelbësor në marrëdhëniet dypalëshe.
“Ka ditë në diplomaci që janë procedurale, por ka edhe ditë kur shkruhet historia. Besoj se sot është një ditë e tillë për marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së”, tha Gjuriq.
Ai shtoi se dialogu strategjik do të mundësojë bashkëpunim të vazhdueshëm mes institucioneve të dy vendeve, pavarësisht ndryshimeve politike, si dhe do të hapë fusha të reja bashkëpunimi në të ardhmen.
Gjuriq tha se e sheh këtë moment si një nga pikat kyçe në historinë 145-vjeçare të marrëdhënieve mes Serbisë dhe SHBA-së, duke rikujtuar periudhat e mëparshme të bashkëpunimit, përfshirë aleancën gjatë luftërave botërore dhe rindërtimin pas luftës.
Gjatë vizitës në Washington u njoftua gjithashtu nënshkrimi i një memorandumi bashkëpunimi në fushën e energjisë, i cili përfshin zhvillimin e interkonektorëve të gazit, si dhe një marrëveshje në fushën e arsimit, përfshirë zgjerimin e programit Fulbright për studentë dhe studiues.
Ministri serb tha se bisedimet do të përfshijnë edhe situatën rajonale, duke theksuar se Serbia e sheh veten si partnere të SHBA-së në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Ballkan.
Gjuriq gjithashtu tha se Serbia i është bashkuar marrëveshjeve Artemis të NASA-s, duke e vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm për avancimin e bashkëpunimit shkencor dhe teknologjik me SHBA-në.
Fillimi i dialogut strategjik, sipas tij, është rezultat i përpjekjeve diplomatike shumëvjeçare dhe mbështetjes së udhëheqjes shtetërore të Serbisë.







