Kryebashkiaku i Londrës, Sadiq Khan, ka mbështetur thirrjet për vendosjen e një temperature maksimale të lejuar në vendet e punës në Mbretërinë e Bashkuar, ndërsa rritet presioni ndaj qeverisë për të forcuar mbrojtjen e punëtorëve përballë valëve të të nxehtit, të cilat po bëhen gjithnjë e më të shpeshta, transmeton Anadolu.
Sipas raportit të fundit të Shërbimit Meteorologjik të Mbretërisë së Bashkuar (Met Office) mbi ndryshimet klimatike në vend, kushtet atmosferike që dikur konsideroheshin ekstreme po bëhen tashmë “normaliteti i ri”.
Teksa Mbretëria e Bashkuar përballet me valë të përsëritura të të nxehtit këtë verë, banesat, shkollat, spitalet dhe rrjetet e transportit po hasin vështirësi në përballimin e situatës, duke nxjerrë në pah mungesën e përgatitjes së vendit për ndikimet gjithnjë e më të mëdha të ndryshimeve klimatike.
Temperaturat ekstreme kanë shkaktuar ndërprerje në mbarë vendin, ndërsa në disa vende pune janë regjistruar temperatura mbi 40 gradë Celsius.
Sindikatat dhe grupet e fushatave kanë kërkuar vazhdimisht vendosjen e një kufiri ligjor. Sindikata Unison dhe Kongresi i Sindikatave (TUC) kanë propozuar që temperatura maksimale në vendet e punës të jetë 30 gradë Celsius ose 27 gradë për punonjësit që kryejnë punë të rënda fizike.
Presioni ndaj qeverisë u shtua edhe më tej pasi deputetja e Partisë së Gjelbër, Hannah Spencer, njoftoi se planifikon të paraqesë në parlament një projektligj që do të ndihmojë në vendosjen e një kufiri ligjor për temperaturën në vendet e punës.
Një zëdhënës i kryebashkiakut Khan, një prej zyrtarëve më të lartë të zgjedhur të Partisë Laburiste, i tha gazetës The Guardian se kryebashkiaku e mbështet këtë nismë, duke theksuar se nxehtësia ekstreme “po bëhet një realitet gjithnjë e më i pranishëm” për banorët e Londrës.
Khan ka nisur një iniciativë që synon ta ndihmojë Londrën të përshtatet me periudhat gjithnjë e më të shpeshta dhe më të ashpra të temperaturave ekstreme.
Megjithatë, zëdhënësi i tij tha se kryebashkiaku nuk ka kompetenca për të vendosur rregulla detyruese mbi temperaturën maksimale në vendet e punës, por e mbështet propozimin.
Vetëm vala e të nxehtit gjatë muajit qershor vlerësohet se shkaktoi rreth 440 vdekje shtesë në ditë në Mbretërinë e Bashkuar, gjatë kulmit treditor të saj.







