Sot në Saborin kroat u diskutua dhe u votua propozimi i partisë Možemo! që brenda afatit ligjor të përgatiten kushtet për njohjen zyrtare të Palestinës. Propozimi nuk kaloi – nga 121 deputetë, 44 votuan pro, *4 abstenuan, ndërsa 73 votuan kundër.
Letra për Qeverinë
Në të njëjtën kohë, 56 deputetë i dërguan një letër të përbashkët kryeministrit Andrej Plenković, duke kërkuar njohjen e menjëhershme të Palestinës dhe pezullimin e eksportit të armëve drejt Izraelit, për shkak të asaj që e quajnë katastrofë humanitare në Gaza.
Letrën e nënshkruan të gjithë deputetët e SDP-së (36), Možemo! (10), IDS-it (2), si edhe individë nga parti të tjera: Dragana Jeckov dhe Anja Šimpraga (SDSS), Anka Mrak Taritaš (GLAS), Dalija Orešković (DOSIP), Marijana Puljak (Centar), Krešimir Beljak (HSS), Dubravko Bilić (Platforma e Pavarur e Veriut) dhe Miro Bulj (Most).
Debat i ashpër
Debati ishte i tensionuar – deputeti Marin Miletić deklaroi se kurrë nuk do ta mbështesë Hamasin, ndërsa nga opozita iu përgjigjën se njohja e Palestinës nuk do të thotë mbështetje për Hamasin, por angazhim për t’i dhënë fund gjakderdhjes në Gaza dhe për zgjidhjen me dy shtete.
Qëndrimi i Možemo!
„I ftojmë të gjitha deputetet dhe deputetët të mbështesin propozimet tona dhe ta detyrojnë Qeverinë të ndërmarrë hapa vendimtarë për t’i kontribuar ndaljes së gjenocidit, armëpushimit dhe lejimit të ndihmës humanitare në Gaza“, thuhet në reagimin e Možemo!.