Është koha që qeveria e Malit të Zi të ndërmarrë hapa vendimtarë për zgjidhjen e çështjeve të hapura me Kroacinë, pasi kjo është thelbësore për rrugën e Podgoricës drejt Bashkimit Evropian, njoftoi sot Ministria kroate e Punëve të Jashtme dhe Evropiane (MVEP), një ditë pas vizitës në Zagreb të komisioneres evropiane për zgjerim, Marta Kos.
Parimi i marrëdhënieve të mira fqinjësore është një nga kriteret kryesore politike në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe është përmendur shprehimisht edhe në Kornizën Negociuese të Malit të Zi dhe vendeve të tjera, theksoi MVEP.
Një ditë pas qëndrimit të komisioneres evropiane për zgjerim Marta Kos në Zagreb, ministria kroate theksoi se BE-ja është shumë e qartë në mesazhin se “nuk mund dhe nuk dëshiron të importojë mosmarrëveshje bilaterale” dhe se, për këtë arsye, çështjet e hapura “duhet të zgjidhen urgjentisht”, në mënyrë që të mos rëndojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe procesin e anëtarësimit.
MVEP theksoi se Kroacia në fund të vitit 2024 i kishte përsëritur Malit të Zi ftesën për dialog “me qëllim të zgjidhjes së çështjeve të hapura, të cilat duhet të përmbyllen në mënyrë që të mos rëndojnë fazën kyçe dhe përfundimtare të procesit të anëtarësimit”.
“Kanë mbetur vetëm disa muaj deri në fund të vitit 2026”
Në deklaratë thuhet se Kroacia gjatë gjithë këtij procesi “ka treguar durim strategjik dhe mirëkuptim, por tani është koha për hapa vendimtarë nga qeveria malazeze”.
Në njoftim janë renditur edhe “pritjet” e Kroacisë, për të cilat në fillim të këtij viti, pas takimit me kryeministrin malazez Milojko Spajić në Tivat, kishte folur edhe kryeministri kroat Andrej Plenković.
“Zgjidhja e çështjes së dëmshpërblimit të ish-të burgosurve të kampeve, vazhdimi i punës për gjetjen e 14 personave të zhdukur nga Lufta për Pavarësi, ndjekja penale e krimeve të luftës, zgjidhja e çështjeve pronësore-juridike të familjeve kroate që kanë mbetur pa pronat e tyre në Mal të Zi dhe proceset gjyqësore të të cilave kanë ngecur, ruajtja e pllakës përkujtimore në ish-kampin e Morinjit dhe domosdoshmëria e ndryshimit të emrit të pishinës në Kotor, vazhdimi i bisedimeve për kufirin detar, si dhe kthimi i anijes shkollore ‘Jadran’”, thuhet në deklaratë.
“Kanë mbetur vetëm disa muaj deri në fund të vitit 2026 dhe për këtë arsye i bëjmë edhe një herë thirrje palës malazeze për dialog konstruktiv dhe përshpejtim të punës për çështjet e hapura”, përfundon njoftimi.
Podgorica ka një plan ambicioz
Autoritetet e Malit të Zi kanë paraqitur një plan ambicioz që deri në fund të këtij viti të mbyllin të gjithë kapitujt negociues dhe që vendi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian në vitin 2028.
Pas kësaj faze do të pasojë procesi i ratifikimit në shtetet anëtare, përfshirë edhe Kroacinë, e cila ka një sërë çështjesh të pazgjidhura me Malin e Zi.
“Përshtypja ime është se Mali i Zi është i gatshëm të punojë shumë seriozisht” për çështjet që Kroacia i ka paraqitur dhe “të cilat nuk janë të pazgjidhshme”, deklaroi kryeministri kroat në fillim të qershorit.
Në mesin e të njëjtit muaj, optimizëm për zgjidhjen e shumicës së çështjeve bilaterale shprehu edhe ministrja malazeze e Çështjeve Evropiane, Maida Gorčević.
“Komunikimi vazhdon dhe shpresoj që gjatë muajve të ardhshëm t’i zgjidhim të gjitha çështjet, ose të paktën shumicën e tyre”, deklaroi ajo në Parlamentin Evropian në Strasburg.











