Kriza e vazhdueshme politike që ka çuar në mbylljen e qeverisë federale të SHBA-së po shkakton pasoja të mëdha në sektorin e transportit ajror. Për shkak të urdhrit të Administratës Federale të Aviacionit (FAA) për reduktimin e trafikut në aeroportet kryesore, kompanitë ajrore amerikane janë detyruar të anulojnë qindra fluturime.
Sipas të dhënave të përditësuara nga platforma FlightAware, 964 fluturime janë anuluar dhe mbi 4.900 janë shtyrë vetëm gjatë ditës së sotme.
Në përputhje me urdhrin e FAA-së për zvogëlimin e ngarkesës ajrore, 40 aeroporte – përfshirë ato në Nju Jork, Çikago, Uashington dhe qytete të tjera metropolitane – kanë ulë kapacitetin e fluturimeve me 10%.
Ministri amerikan i Transportit, Sean Duffy, tha se ky vendim është marrë për të ulur presionin mbi kontrollorët e trafikut ajror, të cilët janë drejtpërdrejt prekur nga mbyllja e qeverisë.
Urdhri do të jetë në fuqi nga ora 06:00 deri në 22:00 me orën lokale, dhe do të prekë të gjitha linjat ajrore komerciale në territorin amerikan.
Kjo është mbyllja më e gjatë e qeverisë në historinë e SHBA-së, dhe pasojat e saj po ndihen tashmë në shërbimet publike, ekonominë dhe infrastrukturën kombëtare të transportit.















