Kreu i opozitës në Izrael, Yair Lapid, paralajmëroi se vendi po hyn në “mundësinë e fundit për të shpëtuar shtetin”, duke thënë se një fitore e re e kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe e koalicionit të tij do të nënkuptonte “fundin e sionizmit”.
Duke folur në një tubim të partisë së tij Yesh Atid në Tel Aviv, Lapid theksoi se izraelitët po përballen me një zgjedhje historike:
“Nëse nuk e shpëtojmë vendin tani, pas dy vitesh nuk do të mbetet më asgjë për të shpëtuar. Dritarja e mundësisë do të mbyllet,” tha ai.
Sipas tij, qytetarëve u ofrohen dy vizione: një shtet modern, i zhvilluar, i botës së parë, i bazuar në vlera liberale, dashuri për traditën hebraike dhe ndjenjë të fortë bashkësie – ose një shoqëri e dhunshme, e prapambetur, që, siç tha ai, e shndërron judaizmin në racizëm dhe e zhduk demokracinë.
Lapid nënvizoi gjithashtu domosdoshmërinë e miratimit të një kushtetute, reformës së sistemit arsimor dhe forcimit të pavarësisë së policisë dhe gjyqësorit.
“Vetëm me ne mund të jeni të sigurt se zëri juaj nuk do të vidhet dhe t’i kalojë Netanyahut pas zgjedhjeve,” tha ai.
Ai kujtoi se shumë politikanë opozitarë – nga Gadi Eisenkot deri te Naftali Bennett – po pozicionohen si kryeministra apo ministra të mbrojtjes të ardhshëm, por se çështja kryesore është si nga këto ambicie të ndërtohet një qeveri e qëndrueshme.
“Përveç Yesh Atid-it, askush nuk di si ta bëjë këtë. Nëse me të vërtetë doni të fitojmë dhe të formojmë qeverinë, Yesh Atid duhet të jetë e madhe, e fortë dhe udhëheqëse,” shtoi ai.
Megjithë kritikat e forta ndaj rivalëve, Lapid bëri thirrje për unitet të opozitës dhe fokusim tek, siç tha, qëllimi i vetëm i vërtetë – “ta dërgojmë në shtëpi qeverinë e 7 tetorit dhe ta shpëtojmë shtetin e Izraelit”.
Situata elektorale
Sipas ligjit, zgjedhjet e ardhshme kombëtare duhet të mbahen më së voni më 27 tetor 2026. Megjithatë, sondazhet e televizioneve izraelite tregojnë se Yesh Atid aktualisht është prapa blloqeve potenciale që do të udhëhiqeshin nga Bennett dhe Eisenkot, si dhe pas partive opozitare Yisrael Beytenu dhe The Democrats.
Sidoqoftë, të njëjtat sondazhe i japin më shumë mandate Likudit të Netanyahut. Edhe pse koalicioni i tij aktual nuk do të kishte mjaft vende për të formuar shumicë, Netanyahu mbetet në avantazh ndaj rivalëve, pasi ndër opozitarët vetëm Bennett gëzon një nivel të ngjashëm mbështetjeje kur votuesit pyeten kush do të ishte kryeministri më i mirë.
Bashkëpunëtori i gjatë i Netanyahut, Natan Eshel, ka propozuar rikthimin e sistemit të zgjedhjes së drejtpërdrejtë të kryeministrit nga vitet ’90. Në atë kohë, Netanyahu në vitin 1996 mundi Shimon Peresin, por modeli u hoq pas pesë vitesh pasi e vështirësonte formimin e koalicioneve stabile.
Eshel në një letër të publikuar nga Kanali 12, tha se vetëm ndryshimi i sistemit zgjedhor mund ta “nxjerrë Izraelin nga problemet” dhe të pamundësojë që partitë e vogla të shantazhojnë të mëdhatë. Sipas tij, rikthimi i zgjedhjes së drejtpërdrejtë do t’i mundësonte Netanyahut të ruante pushtetin edhe nëse ka potencial më të dobët koalicioni.
Netanyahu edhe më herët, në vitin 2021, kishte mbështetur një model të tillë, pasi në një seri zgjedhjesh nuk kishte arritur të siguronte shumicën, duke u përpjekur të pengonte Bennetin që të merrte postin e kryeministrit.