Presidenti Milatoviq u uroi mirëseardhjen zyrtarëve evropianë dhe rajonal, duke theksuar se vendi ndodhet në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit në BE.
Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq dhe kryeministri Milojko Spajiq, kanë pritur në Lovçen liderët e Bashkimit Evropian (BE) dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet nesër në Tivat.
Në njoftimin e zyrës së presidentit Milatoviq thuhet se liderët mbërritën nga Boka në malin Lovçen, që konsiderohet si simbol i historisë, lirisë dhe identitetit shtetëror të Malit të Zi, me një nga pamjet më të njohura në Evropë.
Në vitin kur Mali i Zi shënon 20-vjetorin e rikthimit të pavarësisë, presidenti Milatoviq u uroi mirëseardhjen zyrtarëve evropianë dhe rajonal, duke theksuar se vendi ndodhet në fazën përfundimtare të procesit të anëtarësimit në BE.
“Le të ngremë një dolli për miqësinë, paqen dhe të ardhmen tonë të përbashkët evropiane. Mirë se vini në Mal të Zi, anëtaren e ardhshme të BE-së”, tha Milatoviq.
Darka joformale në Lovçen ishte hyrje në samitin e nesërm në Tivat, i cili konsiderohet një nga ngjarjet ndërkombëtare më të rëndësishme në Mal të Zi që nga fitimi i pavarësisë.
Mali i Zi pret liderët evropianë si vendi që ka avancuar më së shumti në procesin e integrimeve evropiane ndër vendet e rajonit, duke hyrë në fazën përfundimtare të njërit prej kapitujve më të rëndësishëm të historisë së tij bashkëkohore.










