Krasniqi: Deputetët e grupit multietnik të gatshëm ta votojnë qeverinë e re

Ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka deklaruar se deputetët e komuniteteve joshumicë janë të gatshëm të mbështesin formimin e institucioneve të reja të vendit, raporton Ekonomia Online.

Pas mbledhjes së Qeverisë, Krasniqi tha se grupi multietnik disponon numra të mjaftueshëm për ta mbështetur votimin e qeverisë së re dhe bëri thirrje që partitë politike të reflektojnë mbi vullnetin e qytetarëve.

“Grupi multietnik, i cili është i përbërë prej 8 ose 9 deputetëve, është i gatshëm edhe i interesuar që sa më parë, bashkë me fituesin e zgjedhjeve, të shkojnë dhe t’i formojnë institucionet e Republikës së Kosovës, kështu që kjo garanton një numër të mjaftueshëm për votimin e Qeverisë së re të Republikës së Kosovës. Kjo është e tëra që mund të them në këtë aspekt”.

“Zgjedhjet u mbajtën, ato prodhuan një rezultat që është përafërsisht i njëjti me zgjedhjet e kaluara, kështu që qytetarët presin që sa më parë të ketë institucione, sa më parë të kemi qeverinë e re, sa më parë të kemi kuvend funksional, por edhe të kalohet kjo krizë e zgjedhjes së presidentit. Po besoj që qytetari ka folur dhe partitë politike tash duhet të reflektojnë edhe në raport me fjalën e qytetarit”, tha Krasniqi, raporton Ekonomia Online.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi