Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka shpallur konkurs për zyrtarë të lartë komunalë të zgjedhjeve për gjashtë komuna: Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, Mamushë dhe Lipjan.
“Këto konkurse do të jenë të hapura deri më: 14 shkurt 2023, në orën 16:00. Aplikacionet e dërguara me postë, të cilat mbajnë vulën postare mbi dërgesën e bërë ditën e fundit të afatit për aplikim, do të konsiderohen të vlefshme dhe do të merren në shqyrtim nëse arrijnë brenda 4 ditësh. Aplikacionet që arrijnë pas këtij afati dhe ato të pakompletuara nuk do të shqyrtohen”, thuhet në njoftimin e KQZ-së, që publikuar të hënën.
Zyrtarët komunal të zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq, Zubin Potok, kanë dhënë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar.
Ata ishin dorëhequr pas vendimit të përfaqësuesve politikë serbë për t’u larguar nga institucionet e Kosovës, pasi Qeveria e Kosovës kishte vendosur që të zbatonte vendimin e saj për të mos lejuar që Kosovë të qarkullonin automjete me targa ilegale serbe.
Ndërsa konkursi për Mamushë dhe Lipjan, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka thënë se është hapur pasi që zyrtarët komunalë të zgjedhjeve në këto komuna janë pensionuar.