KQZ certifikon rezultatet përfundimtare në Prishtinë, Mamushë dhe Junik – përgatitjet për raundin e dytë zgjedhor drejt përmbylljes

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve për kryetarë të komunave në Prishtinë, Mamushë dhe Junik. Ky vendim u mor pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka konfirmuar përmbylljen e të gjitha procedurave lidhur me ankesat për këto komuna, raporton Ekonomia Online.

Drejtori i Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, prezantoi më pas raportin mbi fazën përfundimtare të përgatitjeve për raundin e dytë të zgjedhjeve për kryetarë komunash, i cili do të mbahet më 9 nëntor 2025. Ai njoftoi se procesi i shpërndarjes së materialit zgjedhor është përmbyllur me sukses dhe është zhvilluar në disa faza.

Sipas Buzhalës, më 5 dhe 6 nëntor në Qendrat Komunale të Numërimit janë shpërndarë kutitë e votimit, kabinat dhe materialet e tjera administrative. Ndërsa më 8 nëntor, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, janë dërguar materialet tjera zgjedhore, përfshirë fletëvotimet, listat votuese, ngjyrën matrikulare dhe vulat.

KQZ ka konfirmuar se të gjitha përgatitjet logjistike janë finalizuar dhe se komisionet komunale janë të gatshme për organizimin e raundit të dytë zgjedhor këtë të diel.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për miratimin e planit operacional për ditën e zgjedhjeve të raundit të dytë të zgjedhjeve për Kryetarë të Komunave: Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë dhe Kllokot. Ky plan do të shërbejë për organizimin e punës së KQZ-së dhe bashkëpunimin me institucione të ndryshme për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Kategoritë
LajmeLajmet KryesoreVendi