Kosovë, Kurti e Osmani takohen me kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku

“Këtu kemi përfunduar takimet me Lëvizjen Vetëvendosje sepse pozicionet tona janë të qarta. Kështu ka vendosur çdo qytetar. Lëvizja Vetëvendosje është në pozitë ne jemi në opozitë”, theksoi Abdixhiku

 

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti dhe kandidatja për Presidente nga kjo parti, Vjosa Osmani janë takuar me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Lumir Abdixhiku, raporton Anadolu Agency (AA).Pas një takimi që ka zgjatur më shumë se një orë, kryetari i LDK-së në një deklaratë për media, tha se me këtë takim përfundojnë takimet midis përfaqësuesve të këtyre dy partive.

Ai tha se LDK-ja, do të jetë opozitë aktive gjatë këtij mandati.

“Këtu kemi përfunduar takimet me Lëvizjen Vetëvendosje sepse pozicionet tona janë të qarta. Kështu ka vendosur çdo qytetar. Lëvizja Vetëvendosje është në pozitë ne jemi në opozitë. Ne do të jemi një opozitë aktive dhe do të jemi një alternativë e re në skenën politike të ardhshme gjatë qeverisjes”, theksoi Abdixhiku.

Ai shtoi se pas formimit të institucioneve janë dakorduar që me kandidaten për presidente nga kjo parti, Vjosa Osmanin, të zhvillojnë një takim që të kuptojnë më qartë pozicionin e saj karshi partive tjera, ngase siç tha ai, pozita e presidentit duhet të jetë e pavarur nga politika.

“Jemi dakorduar që pas formimit të institucioneve, të takohemi me pretendenten për kandidate për presidente në Republikën e Kosovës dhe të kuptojmë më qartë pozicionin e saj si pretendente për presidente karshi LDK-së, VV-së, partive opozitare dhe në veçanti karshi nismës së saj politike të paralajmëruar. Pra, presim që javën e ardhshme pas formimit të institucioneve, të bisedojmë dhe presim ftesën nga pretendentja për presidente”, shtoi Abdixhiku.

Kurti dhe Osmani gjatë kësaj jave janë takuar edhe me krerë të partive tjera po ashtu me përfaqësues të minoriteteve serbe dhe joserbe në Kuvend.

Një pjesë e minoriteteve joserbe deklarativisht janë shprehur se do ta përkrahin Albin Kurtin për kryeministër të ri të vendit e po ashtu Vjosa Osmanin për presidente. Për zgjedhjen e Qeverisë së re nevojitet shumica e thjeshtë, apo 61 vota nga 120 sosh. Ndërsa po kaq vota nevojiten për zgjedhjen e presidentit të ri, por në sallë duhet të jenë prezent dy e treta e deputetëve, apo 80 sosh.

Kryesia e vjetër e Kuvendit, caktoi datën 22 mars si ditë kur do të mbahet seanca konstituive e Legjislaturës së Vlll të Kuvendit, me tre pika të rendit të ditës: Formimin e komisionit për verifikimin e mandateve; Dhënien e betimit të deputeteve dhe Zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Kategoritë
LajmeVendi