Qëllimi i stërvitjes është testimi i kapaciteteve për menaxhimin e situatave të krizës, si dhe zbatimi i njohurive, aftësive dhe procedurave në skenarë të ndryshëm kompleksë të sigurisë.
Pjesëtarë të misionit të KFOR-it të udhëhequr nga NATO, ata të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Policisë së Kosovës, Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave (AME) dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), në përputhje me mandatin e tyre përkatës në fushën e mbrojtjes civile, do të zhvillojnë më 2 dhe 3 korrik stërvitjen e përbashkët “Shpata e Artë 2026”.
KFOR-i ka bërë të ditur se stërvitja do të mbahet në kampin “Vrella”, në Komunën e Lipjanit, ndërsa gjatë stërvitjes do të angazhohet një numër i madh i personelit, automjeteve dhe pajisjeve në zonën ku do të zhvillohen aktivitetet, në afërsi të saj, si dhe përgjatë rrugëve kryesore të qasjes.
Qëllimi i stërvitjes është testimi i kapaciteteve për menaxhimin e situatave të krizës, si dhe zbatimi i njohurive, aftësive dhe procedurave në skenarë të ndryshëm kompleksë të sigurisë, përfshirë trajtimin dhe asgjësimin e sigurt të mjeteve shpërthyese dhe materialeve të rrezikshme.
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Ozkan Ulutas deklaroi se stërvitja e përbashkët dëshmon përkushtimin e të gjithë pjesëmarrësve për forcimin e bashkëpunimit. “Kjo stërvitje e përbashkët simbolizon përkushtimin tonë të vazhdueshëm dhe të fuqishëm për avancimin e bashkëpunimit dhe koordinimit të ndërsjellë, në dobi të të gjithë qytetarëve që jetojnë në Kosovë”, theksoi Ulutas.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij, bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) të vitit 1999, për të ofruar një mjedis të sigurt për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë, pas Policisë së Kosovës dhe misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), përkatësisht, me të cilët punon në koordinim të ngushtë.


















