Kosova dhe Luksemburgu kanë nënshkruar një marrëveshje për mbështetje të bizneseve në energji të pastër, duke vënë në dispozicion 1 milion euro për zbatimin e Skemës së Granteve për Energji të Pastër. Marrëveshja u realizua ndërmjet Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) dhe agjencisë luksemburgase LUX DEV, raporton Ekonomia Online.
Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, theksoi se kjo skemë synon përkrahjen e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme në rritjen e efiçiencës së energjisë dhe ndërtimin e një ekonomie të qëndrueshme.
“Qëllimi i kësaj konference është të informojmë bizneset për nënshkrimin e marrëveshjes për zbatimin e skemës së granteve për energjinë e pastër, përkrahjen financiare për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, e cila vjen si rezultat i mbështetjes financiare që vjen nga shteti fqinj Luksemburgu në vlerë 1 milion euro. Për zbatimin e skemës nënshkrimi do të bëhet sot, është e rëndësishme të tregojmë për bashkëpunim që është i nevojshëm për mbështetjen e sektorit privat. Synimi ynë është për të krijuar një ekonomi të qëndrueshme,” tha ajo.
Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, tha se investimet në energjinë e pastër janë kyçe për zhvillimin e sektorit privat.
“Kjo skemë mbështet dy strategji dhe bashkëpunimi është kyç. Ky lloj investimi në të ardhmen do të bëhet një pjesë e përkrahjes së rregullt të MINT përmes KIESA në sektorin privat. Investimi në efiçiencën e energjisë është i rëndësishëm për shumë arsye. Efiçienca do të thotë që në njërën anë të kemi konsum më të efektshëm, por përfshin edhe industrinë. Bashkëpunimi ynë sot nuk është i rastësishëm. Ne kemi bashkëpunuar ngushtë me MINT dhe KIESA-n për të lansuar këtë skemë,” tha ajo.
Ndërsa ambasadori i Luksemburgut, Eric Dietz, e quajti marrëveshjen një dëshmi të bashkëpunimit të suksesshëm ndërmjet institucioneve kosovare dhe mbështetjes së Luksemburgut për zhvillimin ekonomik dhe klimën e qëndrueshme në Kosovë.
“Kjo është një sukses i madh, dhe kjo është me të vërtetë një dëshmi e zbatimit kombëtar, pronësisë dhe koordinimit ndërministror. Prandaj faleminderit të dy ministrave të dashur për udhëheqjen tuaj të madhe në këtë drejtim. Këto partneritete gjithashtu pasqyrojnë angazhimin e fortë të Luksemburgut për rritje ekonomike gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme në Kosovë. Duke mbështetur KIESA-n, ne synojmë të nxisim inovacionin, sipërmarrjen dhe krijimin e vendeve të punës, veçanërisht për të rinjtë, gratë dhe grupet e cenueshme që përfaqësojnë potencialin më të madh të Kosovës. Me një buxhet prej një milion euro, skema e Granteve për Energji të Pastër shënon një hap të rëndësishëm në angazhimin tonë të përbashkët për avancimin e tranzicionit energjetik dhe qëndrueshmërisë klimatike të Kosovës. Skema do të ofrojë mbështetje të drejtpërdrejtë për sektorin privat të Kosovës, duke i mundësuar kompanive të investojnë në energji diellore, të përmirësojnë efiçiencën e energjisë në ndërtesa dhe të përmirësojnë proceset e prodhimit për të ulur konsumin e energjisë,” ka theksuar Dietz, raporton Ekonomia Online.